Lajmet e fundit
Komisioni për Buxhet dhe Financa zhvilloi takim me përfaqësuesit e FMN-së
E Hënë, 14.11.2016
Komisioni për Buxhet dhe Financa, i prirë nga Naser Osmani, kryetar, takoi sot përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), me të cilët diskutoi lidhur me Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Qëndrimin e FMN-së lidhur me këtë Projektligj, e bëri të ditur Jackues Miniane, shef i FMN-së për Kosovë, i cili tha se Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, është diskutuar ndërmjet Qeverisë dhe FMN-së gjatë fazës së draftimit të tij, ndërkaq, nënvizoi se është përkrahur nga ana e tyre.
Ai me këtë rast paraqiti edhe mëdyshjet e FMN-së lidhur buxhetin e paraparë për investimet kapitale, për të cilin vlerësoi se, edhe në rast të mos përmbushjes së parashikimeve, nuk do të ndikojë në strukturën e përgjithshme të projektligjit.
Përfaqësuesi i FMN-së për Kosovë Jackues Miniane, pasi foli për çështjet, të cilat mund të ndikojnë në përmbajtjen fillestare të këtij Projektligji, (siç është çështja me veteranët dhe invalidët e luftës), tërhoqi vëmendjen duke thënë se Projektligji duhet shqyrtuar me kujdes dhe vendimi lidhur me të jetë i përafërt me formën e propozuar nga Qeveria.
Kryetari i Komisionit Osmani, ndërkaq, vuri në spikamë angazhimin e Komisionit, që lidhur me këtë Projektligj të merr vendim në harmoni me mundësitë reale të implementimit, bazuar edhe në rekomandimet e FMN-së.
Ai po ashtu bëri të ditur se këtë Projektligj, Komisioni do ta shqyrtojë në fillim të javës së ardhshme, ndërkaq, paralajmëroi edhe përkrahjen e tij në parim.