Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Premte, 11.11.2016
Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga kryetari i komisionit, Faton Topalli, ka shqyrtuar sot Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2015. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i kësaj ministrie, z. Memli Krasniqi.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti anëtarë të Komisionit kërkuan sqarime të shumta nga ministri Krasniqi, me theks të veçantë lidhur me adresimin e rekomandimeve të auditorit, pastaj për subvencionet, grantet, pagesat e dyfishta, regjistrimin e pasurisë, donacionet, çështjen e fermerëve, si dhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me të gjeturat nga auditori.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, u vlerësua se në bazë të Raportit të Auditimit, në këtë ministri është shënuar një progres krahasuar me vitin paraprak sa i përket adresimit të rekomandimeve dhe se pasqyrat financiare janë të prezantuara drejt.
Pasi u dhanë sqarimet e nevojshme nga ministri Krasniqi anëtarë të Komisionit vendosën që të kërkojnë nga kjo ministri implementim të rekomandimeve të Auditorit dhe që t'i raportojë krahas Auditorit të Përgjithshëm edhe Komisionit lidhur me Planin e Veprimit të rekomandimeve.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes se sotme ishte edhe Raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për vititn 2015. Mirëpo, për shkak të mos prezencës së ministrit në këtë takim, trajtimi i kësaj çështje është shtyrë për një mbledhje tjetër. Me këtë rast, kryetari i Komisionit, Faton Topalli, shfaqi kritika drejtuar kësaj ministrie për arsye, siç u shpreh ai, nuk kanë marrë ndonjë përgjegjje nga kjo ministri për prezencën ose mos prezencën e ministrit.
Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për vitin 2015. I pranishëm në këtë takim ishte edhe u.d ministër Ferat Shala.
Komisioni me këtë rast ngriti një sërë çështje dhe shqetësime për të gjeturat që janë theksuar në këtë raport të auditimit, me theks të veçantë në investimet kapitale, çështjen e shpronësimeve, mirëmbajtjen e automjeteve, etj.
Përfaqësues të kësaj ministrie theksuan faktin se janë të kënaqur me raportin e Auditorit, duke e theksuar atë si real, ndërkaq u shprehën se kanë adresuar çështjet që janë paraqitur në këtë raport.
Ata treguan se kanë përgatitur edhe Planin e Veprimit për rekomandimet dhe se e kanë dorëzuar tek Auditori.
Nga 20 rekomandime, 10 janë adresuar ndërsa 10 sosh janë në proces. "50 për qind të rekomandimeve janë realizuar, ndërsa 50 për qind e tyre janë në proces të përmbushjes gjer në fund të vitit", theksuan përfaqësues të kësaj ministrie.
Krejtësisht në fund komisioni shqyrtoi edhe Raportin e Auditimit për PVF-të e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015. I pranishëm në këtë takim ishte z.Idriz Blakaj, drejtor i AMKM-së.
Si raportues nga komisioni ishte z. Hajdar Beqa, i cili shtjelloi të gjeturat e raportit dhe shtroi pyetje për institucionin në fjalë. Pyetje shtruan edhe anëtarët tjerë të komisionit në të cilat z. Blakaj u përgjigj dhe u zotua se do t'i trajtojnë me seriozitet rekomandimet e auditorit.