Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme , Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës
E Premte, 11.11.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesur nga Daut Haradinaj, kryetar, ishte i ftuar Sekretariati e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të raportuar dhe informuar anëtarët e komisionit, lidhur me punën që bën dhe kushtet në të cilat vepron ky komision.
Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, shtroi disa pyetje në adresë të përfaqësuesve të Sekretariatit, duke kërkuar informacione lidhur me ecurinë e punës në këtë institucion, kushtet në të cilat ai punon dhe kujt i raporton për punën e tij, si dhe për bashkëpunimin me mekanizmat e tjerë të sigurisë.
Afrim Haxhiu, Sekretar në Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë, duke raportuar për gjendjen e punëtoreve në Qendrën e Situatave, shprehu shqetësimin e tij për kushtet e rënda në të cilat ata punojnë, siç janë hapësirat e ngushta të punës, për pasojë të cilave, siç tha ai, punëtorët shpesh herë janë të detyruar të ndërpresin punën.
Çështje tjetër shqetësuese, sipas Haxhiut, është buxheti. Ai bëri të ditur se Sekretariati dhe Qendra e Situatave nuk marrin ndonjë shtesë për punën që bëhet. Haxhiu tha se Sekretariati harton raporte periodike për qeverinë dhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Ndërkaq, sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me sigurinë, ai tha se ato nuk janë të harmonizuara midis tyre dhe kjo, sipas tij, paraqet problem në përgatitjen e raporteve.
Në pyetjen e kryetarit të Komisionit se pse nuk është ftuar komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e punëve në sekretariat, Haxhiu tha se kjo është kompetencë e kryeministrit dhe se agjenda vjen nga kryesuesi i Këshillit të Sigurisë.
Anëtarë të komisionit shprehën shqetësimet e tyre për kushtet e punës në këtë institucion, si dhe mospërfshirjen e kryetarit të Komisionit parlamentar për siguri, në rolin mbikëqyrës të Sekretariatit. U theksua, gjithashtu, nevoja për transparencë më të madhe nga ana e sekretariatit, duke i dhënë mundësi edhe komisionit parlamentar që të lobojë lidhur me sigurimin e një buxheti më të madh dhe për nevoja të tjera të punës.
Përfaqësuesi sekretariatit, Haxhiu, në fund të takimit i informoi anëtarët e komisionit se është duke u hartuar Strategjia e sigurisë së Kosovës, konform rekomandimit të MSA-së.
Në fund të takimit, kryetari Haradinaj i njoftoi përfaqësuesit e sekretariatit se me më 15 nëntor, komisioni do ta vizitojë Qendrën e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.