Lajmet e fundit
Nga takimi i deputetit Armend Zemaj me kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës z. Fejzullah Hasani
E Mërkure, 09.11.2016
Në cilësinë e kryesuesit të grupit punues, i ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-033 dhe Ligjin 05/L-094, si dhe Ligjin nr. 03/L për Këshillin Prokurorial të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-035, deputeti Armend Zemaj, anëtar i komisionit për Legjislacion, si dhe kryesues i grupit punues për mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve të KPK-së dhe KGJK-së, realizoi sot takim pune me kryetarin e Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Hasani.
Me këtë rast, deputeti Zemaj vuri në spikamë se përveç mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, komisioni ka për synim edhe krijimin e një raporti të ri me institucionet e sistemit të drejtësisë, me qëllim të ndërtimit të një sistemi të drejtësisë sa më funksional dhe profesional.
Gjatë takimit u bisedua për sfidat në zbatimin të ligjit në përgjithësi, si dhe nevojën për adresimin e problemeve që ka aktualisht sistemi i drejtësisë.
Kryetari i Gjykatës Supreme Hasani, ndërkaq, foli për ndërtimin e mekanizmit të llogaridhënies, për të cilin vlerësoi se qëllimi i tij nuk duhet të jetë karakteri hakmarrës, por, rregullimi i sistemit të drejtësisë në vend. Po ashtu, z. Hasani tha se kemi problem në zbatueshmërinë e ligjeve duke pohuar se, Gjykata Supreme ka dhënë shumë mendime juridike. Si shqetësim, kryetari Hasani, paraqiti edhe tej zgjatjen e procedurave për rekrutim të gjyqtarëve, duke pohuar se ky proces është duke shkaktuar ngecje në zgjidhjen e lëndëve. Ai po ashtu ngriti shqetësimin edhe për mungesë të gjyqtarëve dhe stafit profesional.
Në fund të këtij takimi, bashkëbiseduesit u dakorduan që të avancohet bashkëpunimi institucional në mes Gjykatës Supreme dhe Kuvendit, si kategori Kushtetuese, me qëllim të avancimit të sistemit të drejtësisë në vend.