Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 09.11.2016
Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryesuar nga Naser Osmani, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi Projektligjin për Obiliqin, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për faljen e borxheve publike, si dhe Projektligjin për Akreditimin, me amendamente të Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Ndërkaq, Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, i paraparë që të shqyrtohej gjatë kësaj mbledhjeje, është shtyrë për javën e ardhshme, me arsyetimin se nuk i plotëson kriteret teknike.
Lidhur me projektligjet e shqyrtuara, komisioni vendosi t' i përkrahë dhe t'i procedojë tutje.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, që ka të bëjë me pagat e anëtarëve të tij. Lidhur me këtë, Komisioni vendosi që t'i propozojë Kuvendit miratimin për kompensim të punës së anëtarëve të këtij këshilli. Lartësia e pagës për anëtarët e këtij këshilli, u tha se është bazuar në analizat paraprake të komisionit.
Në fund të mbledhjes së sotme, deputetja Besa Gaxherri, kryesuese e grupit punues për të shikuar shpenzimet për tre mujorin e fundit të RTK-së, raportoi për të gjeturat lidhur me këtë çështje.
Lidhur me këtë, ajo tha se grupi punues i ka identifikuar të metat dhe lëshimet e RTK-së lidhur me shpenzimet e saj për tre mujorin e fundit, ndërkaq, rekomandimet do t'i formulojë dhe paraqesë në mbledhjen e radhës në komision.