Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 08.11.2016




Propozimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për iniciativë legjislative për plotësim-ndryshim të nenit 24 të Shtojcës së Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që ndërlidhen me AKP-në, ishte temë qendrore gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.


Arsyen për plotësim-ndryshimin e këtij neni, para anëtarëve të komisionit e paraqiti përfaqësuesi i AKP-së, përkatësisht Shefik Kurteshi, drejtor i Departamentit Ligjor në këtë agjencion.


Ai me këtë rast tha se me amendamentimin e këtij neni, AKP- ja ka për qëllim të sigurojë të drejtën e përfaqësimit ligjor nga përfaqësuesit e saj, përkatësisht ekspertët e AKP-së, sepse, shtoi ai më tej, angazhimi i avokatëve të licencuar nga Oda e Avokatëve, është duke shkaktuar kosto të lartë për buxhetin e agjencisë. Ai në vijim paraqiti një varg arsyesh të tjera rreth këtij neni, ndërkaq, nga komisioni kërkoi përkrahje për iniciativën e tyre.


Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, vlerësuan se kërkesa e AKP-së për plotësim-ndryshim të nenit 24 të Shtojcës së Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, duhet të përkrahet.


Për të proceduar më tej për jetësimin e kësaj nisme legjislative, Komisioni formoi edhe grupin punues, në krye me kryetarin e Komisionit.


Në këtë mbledhje, komisioni diskutoi edhe për mbledhjen e përbashkët me Komisionin homolog nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, e cila pritet të mbahet të premten. Me këtë rast u diskutua për temat që do të trajtohen gjatë atij takimi, ndërkaq, u vlerësua se debati duhet orientuar në frymën e realizimit të marrëveshjeve të arritura ndërshtetërore, kryesisht nga fusha e ekonomisë.


Po ashtu, anëtarët e komisionit u morën edhe me përgatitjet për punëtorinë me asociacionet e bizneseve, lidhur me legjislacionin dhe mjedisin biznesor.

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...