Lajmet e fundit

Veseli viziton stadiumin model për Kosovën

E Premte, 04.11.2016




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Hungari, ka vizituar stadiumin "Groupama Arena" në Budapest, një model i të cilit pritet të ndërtohet së shpejti në Kosovë.


Gjatë qëndrimit në ambientet e stadiumit me kapacitet prej rreth 24 mijë ulëseve, Veseli u shpreh optimist se së shpejti Republika e Kosovës dhe Hungaria do të gjejnë marrëveshje për financimin e këtij tipi të stadiumit për përfaqësuesen e Kosovës.


Kryeparlamentari kosovar tha se Kosova ka talentë të shumtë sportivë dhe ndërtimi i këtij stadiumi multidimensional, do t'u ofrojë atyre kushte për ta zhvilluar edhe më tej talentin sportiv.


"Stadiumi i përfaqësueses së Kosovës do të fillojë të ndërtohet shumë shpejt, sapo ta përmbyllim marrëveshjen me shtetin hungarez, i cili do të na mundësojë një kredi me interes shumë të ulët për ndërtimin e stadiumit të përfaqësues tonë në futboll. Të rinjtë tanë e meritojnë një stadium të tillë dinjitoz dhe me standardet më të larta të kërkuara nga UEFA. Prandaj, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ky projekt të nisë të realizohet shumë shpejt", tha kryeparlamentari Veseli.


Sipas diskutimeve të kryeparlamentarit Veseli me përfaqësuesit e shtetit hungarez, projekti për ndërtimin e stadiumit të përfaqësueses së Kosovës pritet të kushtojë rreth 50 milionë euro, ndërsa punët parashihet të kryhen në afat rekord për më pak se dy vite.

Veseli viziton stadiumin model për KosovënVeseli viziton stadiumin model për Kosovën