Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim Kosovë BE
E Marte, 01.11.2016
Përgatitjet për takimin e dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, i cili do të mbahet me datë 23-24 nëntor në Strasburg, ishte temë e debatit të sotëm gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim. Kryetari i këtij Komisioni, njëherësh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, duke vënë në spikamë rëndësinë e këtij takimi, vlerësoi se, debatet dhe çështjet që do të ngriten atje, duhet të jenë në frymën e një bashkëpunimi të brendshëm e në interes të vendit. Duhet të përgatitemi, që kërkesat tona, si dhe çështjet të cilat do të arrijmë t'i fusim në agjendën e takimit, të përfundojnë në formë rekomandimesh, tha ai.
Anëtarët e komisionit, shprehën përkushtimin e tyre që në takimin e Strasburgut të shkojnë të përgatitur mirë, bazuar edhe në përvojën e arritur nga takimi i parë i takimit të përbashkët, i cili gjatë muajit maj është mbajtur në Prishtinë.
Konsultimet brenda Komisionit lidhur me këtë takim, do të vijojnë edhe gjatë mbledhjeve të radhës.