Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 31.10.2016




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Njomza Emini, ka raportuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilevci, lidhur me përmbushjen e veprimeve nga Programi Kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së MSA-së, si dhe për fondet e IPA-s, që lidhen me zbatimin e projekteve në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.


Pas raportimit të ministrit Stavilevci lidhur me këto çështje, si dhe për aktivitetet tjera të kësaj ministrie, anëtarët e Komisionit parashtruan një varg pyetjesh për të. Xhavit Haliti, Fatmir Xhelili, Donika Kadaj-Bujupi, Vjosa Osmani, Time Kadriaj, Arben Gashi, Bislim Zogaj, si dhe kryetarja e Komisionit Njomza Emini kërkuan sqarime nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, për çështje të ndryshme. Mes tjerash ata kërkuan sqarime lidhur me punëtorët e larguar nga KEDS-i, gjendjen aktuale të faturimit të energjisë elektrike, çmimin e energjisë, të dhëna për sasinë e prodhimit të energjisë dhe regjistrimin, shërbimet postare, strategjinë e energjisë 2016-2025, rënien e investimeve të huaja, ndotjen e ambientit sa i përket prodhimit me qymyr, liberalizimin e tregut, etj. Për të gjitha këto çështje dhe shqetësime që u ngritën nga anëtarë të Komisionit, u përgjigj ministri Stavilevci.


Pas raportimit të ministrit Stavilevci, Komisioni ka vazhduar mbledhjen për shqyrtimin e Projektligjit Nr. 05/L-101 për performancën energjetike në ndërtesa, si dhe Projektligjit Nr. 05/L- 100 për ndihmën shtetërore, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, të cilat morën mbështetjen e Komisionit, ndërkaq nuk u përkrah Projektligji Nr. 05/L- 116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane