Lajmet e fundit

Nga vazhdimi (pas dite) i seancës së jashtëzakonshme për vlerat e UÇK-së

E Enjte, 27.10.2016




Në vazhdim të seancës, pasdite ,është tensionuar atmosfera nga replikat dhe kundër-replikat. Me synimin që tejkalojë situatën e krijuar, kryeparlamentari Veseli ka kërkuar na kryetarët e grupeve parlamentare të deklarohen ,veç e veç, nëse pranojnë ta ndërpresin debatin dhe të kalohet menjëherë në harmonizimin e tekstit të rezolutës.


Derisa shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së: Zenun Pajaziti dhe Ismet Beqiri, kanë pranuar të ndërpritej debati, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se debati në seancën e sotme është tepër i rëndësishëm. Pas kësaj ka vazhduar debati, fillimisht me tensionime dhe replikime, e pastaj debati ka qenë më i qetë.

Në vazhdim të seancës pasdite kanë diskutuar: Shaip Muja, Hajdar Beqaj, Albin Kurti, Ali Berisha, Ganimete Musliu, Tauta Haxhiu dhe Shukrie Bytyqi.


Kryeparlamentari Veseli edhe një herë ka kërkuar që të votohet për ndërprerje të diskutimeve,në mënyrë që të harmonizohet teksti i rezolutës.


Deputeti Elmi Reçica, ka kërkuar që deputetët pyeten një nga një nëse duan të marrin fjalën. Ai ka deklaruar (në emër të GP të PDK-së) se 17 deputetët e këtij grupi tërhiqen nga diskutimi. Kur Konjufca ka thënë se shefat e grupeve nuk mund t'ua imponojnë deputetëve që të mos flasin, ka rifilluar debati. Në Kuvend kanë folur edhe : Abdyl Imeri, Bali Muharremaj dhe Sevdie Halimi.


Ndërkohë përfaqësuesit e grupeve parlamentare: Elmi Reçica,Agim Kika, Glauk Konjufca, Pal Lekaj dhe Zafir Berisha, janë tërhequr nga seanca për të harmonizuar rezolutën për vlerat e UÇK-së.


Debati ka vazhduar me diskutime të deputetëve: Luljeta Vesealaj-Gutaj, Blerta Deliu- Kodra, Gëzim Kelmendi, Safete Hadargjonaj, Bislim Zogaj, Shukri Buja, Maxhide Mjaku - Topalli, Naim Fetahu, Sala Berisha - Shala, Nait Hasani, Agim Çeku dhe Nezir Çoçaj.


Pas përfundimit të debatit, në foltore ka dalë deputeti Elmi Reica dhe e ka lexuar tekstin e draft-Rezolutës, të katër grupeve parlamentare, ( NISMA, AAK, LDK dhe PDK).


Sali Morina, në emër të LDK-së, ka kërkuar që rezoluta të shqyrtohet dhe të votohet në ditën e nesërme.


Glauk Konjufca, ndërkaq, është shprehur seanca e sotme e ka bindur se zgjedhjet janë afër, sepse performanca e PDK-së ka qenë performancë elektorale. Ai u ka kërkuar falje pjesëtarëve të UÇK-së të dënuar dhe familjarëve të tyre pse për Vetëvendosjen në seancën e sotme është folur në 80 për qind të kohës , kurse 20 për qind për pjesëtarët e dënuar të UÇK-së. Ai ka paraqitur një analizë të fjalimeve të deputetëve të PDK-së, të cilët e kishin bërë akuza për VV-në.


Aj ka deklaruar se nuk ka ndodhur të miratohet një rezolutë e tillë e dobët në Kuvend. Vetëm pika e parë e kësaj rezolute është në rregull, kurse 11 të tjerat nuk vlejnë fare, ka konstatuar ai.


Ka pasur reagime deputetësh, madje kanë dalë edhe në foltore për ta penguar. Kanë dalë tek foltorja edhe deputetë të VV-së, ka ndërhyrë për të qetësuar situatën edhe kryeparlamentari Veseli.


Konjufca , pas ndërprerjes i ka prezantuar pikat që do të duheshin të jenë në rezolutë, Njëra ndër to ishte edhe propozimi i tij që UÇK-së të mbrohet duke e futur në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.


Ka pasur reagime nga deputetë, si, Pal Lekaj, i cili ka sqaruar pse ishte pajtuar me tekstin e Rezolutës, e duke kërkuar që të mos ketë fyerje dhe ngritje tensionesh, kurse Bislim Zogaj, i ka përsëritur dhe rifreskuar akuzat për VV-në.


Duke përfunduar seancën, e sotme, e cila duhet të vazhdojë nesër, në orën 10:00, kryeparlamentari Veseli u ka premtuar deputetëve se nga muaji nëntor do të thërrasë një seancë për të trajtuar çështjen e shprehjeve parlamentare që mund dhe nuk mund të përdoren në Kuvendin e Kosovës.

 

 

Nga vazhdimi (pas dite) i seancës së jashtëzakonshme për vlerat e UÇK-së