Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Enjte, 27.10.2016




Në seancën e sotme të jashtëzakonshme, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Sabri Hamiti) u debatua për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar, sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues të Kuvendit.

Në emër të parashtruesit të kërkesës për debat, fjalën e mori deputeti Zenun Pajaziti, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai fillimisht sqaroi se debati i sotëm është kërkuar duke u bazuar në situatën e këtyre ditëve pas shpalljes së aktgjykimit për ish pjesëtarët të UÇK-së, gjë që ka shkaktuar shqetësime tek të gjithë.

Duke e shprehur qëndrimin e PDK-së lidhur me këtë situatë dhe duke e vlerësuar se është bërë padrejtësi ndaj grupit Drenica, Pajaziti tha se vendimi nga gjykata është bërë me dëshminë e vetme të një dëshimtari të panjohur dhe se vlera sublime e UÇK-së është vlerë e cila nuk do të lejohet të nëpërkëmbët.

Pajaziti tha se ka tendenca të hapura të qarqeve të ndryshme për ta dëmtuar imazhin e UÇK-së. Mes tjerash, ai tha se duhet të ketë mekanizma për korrigjimin e padrejtësive. "Ne jemi për drejtësi, për krimet që i ka kryer cili do qoftë, por drejtësia jo vetëm që duhet të jetë e drejtë ajo duhet të jetë edhe bindëse.

Këtu po ndodhë e kundërta ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së. Ne, nuk mund të qëndrojmë spektator ndaj gjykatave që nuk kanë fakte bindëse", tha Pajaziti, duke shtuar se nuk guxohet të lejohet pa fakte që të ketë vendime gjyqësore dhe se drejtësia duhet të jetë e drejtë, ndërkaq në vijim përmendi edhe mbështetjen që ka pasur shteti i Kosovës nga partnerët ndërkombëtar. Lufta e pastër e UÇK-së është mbështetur edhe nga faktori politik ndërkombëtar dhe miqtë ndërkombëtar na ndihmuan në luftë dhe paslufte.

Krejtësisht në fund, Pajaziti propozoi që në fund të debatit të dilet me një rezolutë për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe kërkoi nga deputetët që në momente të tilla të qëndrojnë së bashku.

Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se nuk ka dyshim që shteti i pavarur i Kosovës është si rezultat i një rezistence të shumë gjeneratave nëpër vite , ndërkaq përmendi se kjo është kulmuar edhe nga ushtarët e UÇK-së, duke vënë në pah edhe ndihmën vendimtare të miqve ndërkombëtarë.

„UÇK ka bërë luftë të drejtë, luftë kundër gjenocidit serb dhe këtë fakt askush nuk mund ta mohojë, në asnjë rrethanë,se ky është realiteti dhe sot jemi këtu ku jemi. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se organet e drejtësisë duhet të kryejnë detyrat e tyre, pavarësisht rrethanave dhe se ne duhet të japim kontributin që të reflketojë me vendime të drejta", tha Beqiri, duke shtuar se në asnjë rrethanë nuk mund dhe nuk do të ketë tentim apo barazim të fajësisë sepse është shumë e qartë se kush ka bërë krime në Kosovë: policia, ushtria, paramilitarët serb", tha Beqiri, duke shtuar se organet shtetërore të drejtësisë duhet në çdo rrethanë të jenë të pavarura dhe të reflektohet me vendime të drejta. Ndërkaq, ka bërë thirrje që situatat e tilla të tejkalohen me qetësinë largpamëse dhe përkushtimin për bërjen e shtetit ligjor.

Beqiri tha se LDK-ja do të jap kontributin e saj në mënyrë që të harmonizohen rekomandimet për rezolutën për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Për vendimin gjyqësor kundër grupit Drenica 2, foli edhe Rexhep Selimi, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Me këtë rast, ai përmendi votimin e Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit.

"Deputetët që kanë votuar Gjykatën Speciale, sot dalin e bëhen kinse po i mbrojnë vlerat e luftës. Atyre që dje e kanë votuar këtë gjykatë do t'u thosha çfarë kërkojnë në këtë debat, pse janë në këtë sallë të njejtit që e kanë mbjellë farën për tu dënuar ish- pjesëtarët e UÇK-së!? A nuk jeni ju deputetë të cilët kërkuat vazhdimin e mandatit të EULEX-it e tani dilni kundër vendimeve të gjykatave të EULEX-it?!", tha Selimi duke shtuar se ky debat do të duhej të mbahej para vendimit të gjykatës e jo pas vendimit.

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, fillimisht shfaqi vërejtje për mos prezencën e kryeministrit Mustafa në këtë seancë, ndërkaq shprehu brengën e tij dhe të AAK-së për zhvillimin e ngjarjeve të fundit nga drejtësia. Ai tha se drejtësia në Kosovë nuk është marrë asnjëherë me gjenocidin që ka bërë Serbia në Kosovë, ndërkaq përmendi edhe arrestimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia pa asnjë arsye. Ai tha se EULEX-i për çdo muaj jep dënime, herë për grupin e Dukagjinit, e herë atë të Drenicës, Lllapit, etj.

Zafir Berisha, kryetar i grupit parlamentar Nisma, tha se kjo legjislaturë nuk duhet të ketë moral për të diskutuar lidhur me këtë çështje, pasi që, shtoi Berisha, vet e kanë mbjellë farën. "Kjo seancë është e thirrur për t'iu vënë hi syve qytetarëve të vendit. Barazimi i luftës çlirimtare dhe asaj okupuese të ndalet me vendime e ligje e jo me rezoluta koti. Për këto procese fajin e ka Hashim Thaçi", tha Berisha.

Ndërkaq, Myfera Shinik, 6+ , tha mes tjerash se është e papranueshme nëpërkëmbja e UÇK-së dhe vlerësoi se është kundër veprimeve të njëanshme nga drejtësia.

Në vijim të këtij debati foli edh zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi. Ai tha se nuk mund të mbrohet UÇK-ja duke i sulmuar themeluesit e saj. Kuqi tha se UÇK-ja është vlerë që na bashkon. Ai ftoi deputetët që këto vlera të bëhen me ligj dhe të punohet në këtë drejtim."Duhet të punohet më shumë në kuptimin juridik", tha Kuqi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, fjalimin e tij e filloi me një rrëfim personal për luftën në zonën operative të Drenicës.

"Brigada elite e UÇK-së 111", zhvillonte luftime për jetë vdekje në grykat e maleve, aty ku qëndronte popullata civile dhe qindra të plagosur, ushtarë dhe civilë. Vuajtjet ishin të mëdha, dhimbja ishte e rëndë, por edhe vendosmëria për qëndresë ishte e pathyeshme. Drenica nuk po dorëzohej.

Në mbrëmje të asaj dite, të gjendur në një perimetër rrethimi të hekurt, nga pjesa e malit Kosmaq, u bashkuam me bashkëluftëtarët tjerë në fshatin Baicë.

Aty morëm bilancin tragjik të asaj dite të rëndë luftimesh: Tre të vrarë nga luftëtarët e "Brigades 111": Ymer Shala, Bedri Demaku dhe Xhevat Demaku", tha Veseli duke rrëfyer më tej edhe për varrimin e tre dëshmorëve në Abri. "Tre djem të rinj me uniforma të tyre dhe plagë e trup të gjakosur, më shumë se dhjetë ushtarë të njësisë special të "Brigadës 111", qëndronin rreth trupave të tyre, të mërzitur dhe pa fjalë!
Në dhomë ishin dhe prindërit e njërit prej këtyre heronjve të rënë.

Duke u munduar të gjenim ca fjalë për t`i ngushëlluar. Nëna e heroit, duke parë mërzinë tonë, na pa në sy dhe na tha: "Djemtë e mi, bëni gajret, banu të fortë: kur hasmi...të tjerët vijnë dhe vdesin në tokën e huaj, pse djemtë e mi mos me vdekë për vendin e tyre. Hallall i kofshin krejt djemtë e mi kësaj toke!".Kjo ishte nëna e Xhevat Demakut, hero i rënë në luftë per liri, nëna e Zeqirit, Jahirit, Fadilit dhe Nexhat Demakut. Të pestë djemtë e saj ishin vënë në mbrojtje të atdheut. E kishte edhe një vajzë të vetme; edhe atë, së bashku me djalin e saj, ia vranë ushtria serbe, ndërsa vajzën tjetër, Drenushën që mbijetoi, mezi arritëm ta tërhiqnim ato ditë nga zonat e luftës. E mora vetë duke e dërguar deri në kufirin e Maqedonisë, e nga andej në Shqipëri. E shpëtuam nga fati i nënës dhe motrës së vogël, por u vonuam t'ia shpëtonim dorën.

Sot, kjo Nënë e madhe e vëllezërve Demaku, padrejtësisht, duhet të durojë një dhimbje tjetër: Edhe katër djemtë tjerë të saj, vëllezërit e Xhevatit dëshmor, katër luftëtarë të lirisë, bashkë me komandantin trim të sa e sa betejave, Sylejman Selimin, Hysni Thaqin dhe Bashkim Demiqin me tre vëllezër të tjerë, njeri nga ata nuk ishte asnjëherë gjatë luftës në Kosovë, po privohen nga liria, përmes një procesi gjyqësor me shumë pikëpyetje serioze", tha Veseli.

Ai shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftoi për t'i dhënë fund regjimit të apartheidit serb, ku shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe se UÇK-ja luftoi për të ndërtuar një shoqëri të lirë ku sundon drejtësia, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kryeparlamentari Veseli shtoi se nuk ka asgjë më shqetësuese në një vend se sa kur në emër të drejtësisë shkaktohet pasiguria.

"Parimi i shtetit ligjor dhe mosndërhyrjes, janë parimet bazë mbi të cilat angazhohemi dhe jemi të vendosur në këtë shtet. Asnjëherë ndërhyrje në çështje të gjyqësorit.

Ne këtë parim, si dje për liri, kemi qenë të gatshëm dhe kemi pranuar edhe çmimin e kërkuar nga ne që edhe jashtë vendit tonë të ndahet drejtësi mbi dilemat e padrejta të vëna mbi luftën tonë.

Shqetësimi qytetar është se në këto procese ka mangësi të zbatueshmërisë së ligjeve në fuqi dhe ballafaqimit apolitik të fakteve dhe provave dhe një tendencë të ndëshkimit me çdo kusht të luftëtarëve të lirisë", theksoi Veseli, duke shtuar më tutje se kjo po shkakton mosbesim dhe frikë tek qytetarët, se diçka nuk është në rregull me standardet e kërkuara të drejtësisë. Ai vlerësoi se ish luftëtarët e UÇK-së, janë të gatshëm t'i nënshtrohen individualisht parimit të barazisë para drejtësisë, për t'i hequr dilemat rënduese dhe akuzuese mbi ta dhe luftën e tyre për liri, por asnjëherë, shtoi Veseli, nuk do të pranojnë etiketimet linçuese dhe fushatat denigruese kundër tyre dhe UÇK-së. "Ne, nuk duam të interferojmë në sistemin gjyqësor dhe asnjëherë nuk do ta bëjmë këtë, aq më pak në vendimet gjyqësore, por nga ana e përgjegjësisë sonë politike, ne nuk mund të mos kërkojmë që të trajtohen seriozisht dhe adresohen shqetësimet e qytetarëve tanë mbi proceset aktuale. Barazi para ligjit, askush mbi ligjin, por dhe askush i diskriminuar prej tij", u shpreh kryekuvendari Veseli.

"Lufta e Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë për mbijetesë e një populli të robëruar në fundin e shekullit XX, kur të gjithë popujt e Evropës kishin fituar lirinë. Ishte luftë për çlirim. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.

Dihet kush ishte viktima dhe kush agresori. Nxjerrja e një Rezolute të përbashkët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të konfirmonte edhe njëherë dinjitetin, pastërtinë dhe ndershmërinë e Luftës sonë çlirimtare për liri e pavarësi . Një rezolutë që thekson sërish, se lufta heroike e bërë nga luftëtarët tanë ka qenë një luftë e drejtë dhe se është obligim moral i çdo institucioni në Kosovë që ta mbrojë dhe respektojë këtë të kaluar të lavdishme të historisë së popullit tonë.

Sulmet e padrejta kurrë nuk do të mund të errësojnë faktin se:
Ju keni qenë dhe përjetësisht do të mbeteni çlirimtarët e Kosovës
Jo vetëm familjet, por e gjithë Kosova krenohet me Ju.

Sylejman Selimi, Fadili, Jahiri, Zeqiri, Nexhati, Hysni Thaqi e Bashkim Demiqi me vëllezërit e tij janë luftëtarë të lirisë, mbrojtës të popullit të tyre, tokës së tyre.

Gjithmonë do të mbesin të tillë. Ne do të jemi gjithmonë me ta, Gjithë Kosova është me ta.

Kam një mesazh të veçantë për fëmijët e këtyre bashkëluftëtarëve të lirisë:
Shkoni në shkollë, mësoni shumë dhe ndihuni krenarë se baballarët Tuaj, bënë më të mirën për bashkëmoshatarët tuaj dhe baballarët e tyre.

Ju duhet ta dini se jeni fëmijë heronjsh dhe heronjtë e kanë një fat gjithmonë: Kthehen të fundit nga beteja dhe të fundit e përjetojnë lirinë", përfundoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Deputetë të Kuvendit diskutimet e tyre do t'i vazhdojnë pas përfundimit të pauzës, duke filluar nga ora 15:15.

 

Nga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit