Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 26.10.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, të udhëhequr nga kryetari i komisionit, Nait Hasani, i ftuar ishte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, për të raportuar lidhur më gjendjen në infrastrukturën sportive dhe trashëgimin kulturore.
Kryetari i Komisionit, Hasani, adresoi vërejtje lidhur me gjendjen e infrastrukturës sportive në vendin tonë, duke vlerësuar se pikërisht për shkak të këtyre kushteve, përfaqësuesja e Kosovës në futboll është e detyruar t'i zhvillojë ndeshjet kualifikuese jashtë shtetit.
Përkitazi me këtë, ministri Kujtim Shala potencoi mungesën e legjislacionit dhe të një plani strategjik. Duke folur për trashëgiminë kulturore, ndërkaq, ai tha se Ministria e Kulturës është duke u përkujdesur për këtë fushë të rëndësishme. Shala bëri të ditur se ekziston lista për mbrojtjen e 27 aseteve, si dhe lista tjetër ku përfshihen kalatë, siç është Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Novobërdës etj.
Pyetjet e deputeteve kishin të bënin me aspekte të ndryshme të kësaj trashëgimie, me shtëpinë muze të Jasharëve në Prekaz, përmendoret e ndërtuara pas luftës, objektet me karakter historik në Prizren, Kalanë e Prizrenit, Qendrën Historike, për Hamamin në Prishtinë etj.
Duke u përgjigjur në këto pyetje, ministri Shala tha se memorialet dhe përmendoret e ndërtuara pas luftës janë përgjegjësi e agjensionit përkatës memorial, ndërsa s i përket lokaliteteve arkeologjike, bëri të ditur se të gjitha janë nën përkujdesje.