Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil
E Mërkure, 26.10.2016
Dje, Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil, në kuadër të aktiviteteve të veta të mbikëqyrjes së agjencive të pavarura që i raportojnë Kuvendit.
Komisioni u prit në takim nga Bordi Mbikëqyrës i AAC-së, i kryesuar nga Samet Dalipi, dhe menaxhmenti i AAC-së, i kryesuar nga Drejtori i përgjithshëm, Dritan Gjonbalaj.
Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës dhe Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së e informuan Komisionin për aktivitetet e AAC-së gjatë këtij viti, të arriturat në aspektin e zbatimit të legjislacionit të BE-së, por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet AAC-ja. Gjithashtu, AAC-ja i ofroi Komisionit një pasqyrë të hollësishme të veprimeve të ndërmarra me qëllim të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, respektivisht Komisionit, për Raportin vjetor të AAC-së për vitin 2015. Komisioni u informua se Qeveria, ASHNA dhe AAC-ja janë duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura që në aspektin teknik për marrjen e plotë të përgjegjësisë për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror edhe në hapësirën e lartë ajrore për mbikalime. Gjithashtu, u dha një raport i shkurtër rreth procesit për normalizimin e plotë të hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, që do t'i shkurtojë fluturimet në Prishtinë për rreth 20 minuta.
Kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, përgëzoi AAC-në për punën e deritanishme dhe konfirmoi zotimin e Komisionit për të ofruar përkrahje edhe në realizimin e disa prej synimeve strategjike, siç është anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe përafrimi i ligjeve përkatëse me kuadrin ligjor të BE-së.
Bordi dhe menaxhmeti i AAC-së bashkëbiseduan me Komisionin edhe për çështje tjera me rëndësi në fushëveprimin e AAC-së.