Lajmet e fundit
Nga punimet e Sesionit VII të Seminarit të 93-të ROSE-ROTH të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
E Hënë, 24.10.2016
Seminari i 93-të ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka vazhduar edhe sot diskutimet në Prishtinë. Me këtë rast, pas hapjes së sesionit të fundit nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, (shef i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s), një fjalë rasti ka mbajtur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa, në fjalën e tij, mes tjerash ka theksuar progresin e arritur në Kosovë që nga paslufta, duke shtuar se dalja nga shkatërrimi i luftës dhe mbrojtja e jetëve të njerëzve, e arsyeton në mënyrë të plotë ndërhyrjen e NATO-s.
Kryeministri Mustafa ka shprehur përkushtimin e Qeverisë që të punojë në mënyrë që Kosova të shndërrohet në një eksportuese të sigurisë, duke u rreshtuar në krah të aleancës botërore për paqe dhe siguri.
"Ne tani dëshirojmë që të shndërrohemi nga një vend i cili ka qenë konsumuese e sigurisë në një vend i cili do të eksportojë sigurinë, sepse kemi dëshirë të marrim pjesë në veprimet humanitare të NATO-s në vendet tjera, ose më vonë në operacionet paqësore. Vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur e cila është në gjendje që të aplikojë të gjitha standardet e NATO-s dhe të jetë në krah të një aleance botërore për paqe dhe siguri", tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se "po ashtu jemi të interesuar që edhe më tutje KFOR-i të qëndroj në Kosovë si pjesë e stabilitetit, paqes dhe besimit të të gjithë qytetarëve përfshirë edhe komunitetet".
Sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ai tha se perceptimi në Kosovë për korrupsionin është akoma i lartë edhe përkundër masave që po ndërmerren çdo ditë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. "Ne kemi marrë masa sa i përket adaptimit të ligjeve në mënyrë që të krijohet një bazë juridike shumë më efikase për luftimin e krimit dhe korrupsionit, kemi përpunuar veçmas sektorin e prokurimit publik, ku kemi të bëjmë me investimin e parasë publike dhe kundërthënien mes pronës private dhe asaj publike".
Në fushën e bashkëpunimit evropian, kryeministri Mustafa tha se është nënshkruar Marrëveshja për Stabilizim Asociim vitin e kaluar, ndërkaq këtë vit ka hyrë kjo marrëveshje në fuqi. "Është një marrëveshje e cila neve na hapë mundësi që të kemi qasje në tregun e Bashkimit Evropian që është një treg prej mbi 500 milionë banorësh, dhe këtë mundësi e kemi.
Ndërkaq, sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria është e bindur se vija kufitare është shënuar në vijën që është kufizuar më parë krahina e Kosovës me Malin e Zi, se e kemi ruajtur tërë territorin e Kosovës dhe nuk kemi humbur asnjë kilometër katror edhe përkundër asaj që opozita insiston se Kosova në këtë proces ka humbur rreth 8200 hektarë. Por, ne sipërfaqen e Kosovës e kemi edhe pas kësaj atë që e kemi pasur edhe më parë. Me Malin e Zi nuk e kemi asnjë problem sa i përket marrëdhënieve ndër-fqinjësore, por çështjet i kemi të brendshme, të cilat ne duhet t'i zgjidhim në pikëpamje të bindjes edhe të opozitës, por edhe të qytetarëve për pjesën për të cilën kemi të bëjmë me shënimin e kufirit", tha Mustafa, duke folur më tej edhe për raportet me vendet fqinje, të cilat i vlerësoi shumë të mira.
Sa i përket luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, kryeministri Mustafa tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar e ka aprovuar ligjin me të cilin e ka ndaluar bashkimin e qytetarëve tanë në frontet e jashtme. Ai shtoi se kanë arritur që nga shtatori i vitit të kaluar të ndalojnë që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos bashkohet në konfliktet e jashtme, përmes një pune shumë të rëndësishme që e ka bërë Policia e Kosovës, Agjencia e Inteligjencës, shoqëria civile dhe partitë politike në aktivitetet e tyre. "Kemi aprovuar në Qeveri Strategjinë për Luftë Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit dhe mendoj se është arritur një rezultat mjaft i madh. Ndërkaq, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë marrë masa që të pezullohet puna e 19 organizatave joqeveritare, për të cilat është vlerësuar se në aktivitetet e tyre nuk kanë të bëjnë me punë humanitare, por kanë edhe zhvillime tjera politike të cilat mund të cenojnë stabilitetin e vendit. Ne jemi të interesuar që të rrisim edhe më tutje dhe të forcojmë sigurinë. Vlerësimi ynë është që gjendja e sigurisë në vend është e mirë. Kemi institucione të cilat janë mjaft të avancuara dhe të cilat po aplikojnë praktikat më të mira evropiane dhe euroatlantike. Jemi shumë të kënaqur me Policinë e Kosovës, me cilësinë e tyre, me disiplinën, dhe me organizimin. Jemi po ashtu shumë të kënaqur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe kemi një falënderim të veçantë për NATO-n për gjithë punën që e ka bërë në konsolidimin dhe organizimin e kësaj Force, dhe presim që kjo Forcë nesër të jetë anëtare e NATO-s, dhe para kësaj, të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës", theksoi kryeministri Mustafa.
Në sesionin VII me temën : Parandalimi i radikalizmit dhe Luftimi i Terrorizmit, moderuar nga Bruno Vitorino (Portugali), zëvendës-kryetar i Komisionit të AP-së së NATO-s për Shkencë dhe Teknologji, lidhur me qasjen e Kosovës në parandalimin e radikalizmit dhe luftimin e Terrorizimit foli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
Ai tha se ekstremizmi i dhunshëm, i cili shpesh herë përfundon me akte terroriste dhe radikalizmi i shoqërive të ndryshme, tashmë janë probleme komplekse. "Nuk janë probleme ekskluzivisht të një vendi, por janë probleme transnacionale dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, nëse dëshirojmë që të jemi të suksesshëm në luftimin e këtij fenomeni. Ekstremizmi dhe qasjet radikaliste janë më shumë se trans nacionale", tha ministri Hyseni, duke shtuar se në Kosovë ka një vit që është aprovuar Strategjia për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ndërkaq, vlerësoi se askush veçmas nuk mund ta luftojë këtë të keqe, por vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. "Kosova ka demonstruar, si askush tjetër, më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar dhe rezultatet janë evidente.
Kemi një vit që nuk kemi regjistruar asnjë qytetar që të ketë shkuar në Siri dhe Irak. Nuk përjashtojmë mundësinë që ndonjë i radikalizuar të gjejë rrugë të treta", tha Hyseni duke shtuar se prokuroria dhe gjyqësia e Kosovës kanë vepruar dhe se tani kemi numër të madh të arrestuarve.
"Kosova është shtet sekular. Kosovën dhe shqiptarët i shquan sensi për harmoni ndër fetare e ndërkulturore. Jemi të vendosur që këtë sekularizëm dhe harmonie ndërfetare ta ruajmë me çdo kusht", u shpreh ministri Hyseni.
Edhe Abit Hoxha, hulumtues i lartë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë foli për radikalizmin në Kosovë, sipas pikëpamjes së shoqërisë civile, duke paraqitur edhe hulumtimin e tij të fokusuar jo vetëm në Kosovë, për faktin se si është arritur deri tek qasja e radikalizmit. Ai mes tjerash theksoi faktin se asnjë zgjidhje nuk është e mirë pa identifikuar bazat e problemit. "Sa i përket radikalizmit duhet pasur parasysh një lloj kuadri ku bëhen analizat në nivelin e mundësive politike, se cilat janë mundësitë politike për këta individë, organizatat ose lëvizjet dhe pastaj duhet ta analizojmë rrjetin dhe ideologjinë, prej nga vjen ideologjia, cili është rrjeti që ata e shfrytëzojnë dhe është shumë më rëndësi t'i analizojmë mundësitë politike, për të cilat, në Kosovë, të themi në mënyrë diplomatike, janë paksa fluide".
Marija Ristiq, redaktore, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, foli për rritjen e ISIS-it dhe ndikimin e tij në Evropën Juglindore dhe se si të trajtohet radikalizmi dhe si të zhvillohen qasje të qëndrueshme kundër terrorizimit. Me këtë rast, ajo foli për raportin e publikuar lidhur me luftëtarët e huaj në Ballkan. Duke sqaruar se që nga vitit 2012-2015 ka pasur një numër të madh të këtyre personave që janë larguar nga rajoni, ajo tha se numri më i madh i tyre është shënuar në vitin 2013. Sipas saj, përafërsisht 900 persona janë larguar, shumica prej tyre nga Kosova, vijuar nga Maqedonia, Bosnja, Shqipëria, Serbia.
Ndërkaq, në vitin 2016, tha Ristic, pothuajse asnjë shtetas i Ballkanit Perëndimor nuk është larguar në Siri. Kjo, sipas saj ka ndodhur për shkak se shumica e vendeve kanë në fuqi legjislacion më të ashpër që sanksionon luftëtarët e huaj.
Pas këtij diskutimi, panelistët u përgjigjën edhe në pyetjet e të pranishmëve.
Ndërsa , krejtësisht në fund, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi. Me theks të veçantë ai falënderoi Asamblenë Parlamentare dhe Sekretariatin e Byrosë, të cilët kanë vendosur që ky seminar të mbahet në Prishtinë. "Mbajtja e këtij seminari ka qenë nder i madh për ne dhe i domosdoshëm për të komunikuar me të gjitha institucionet këtu për të pasur një pasqyrë më të përafërt dhe më të mirë e të drejtpërdrejtë për Kosovën.
Shpresoj që edhe në takimet tjera të kësaj asambleje do të jemi së bashku", tha Haliti, i cili po ashtu ka ftuar pjesëmarrësit e kësaj asambleje që të vizitojnë bashkërisht Pejën (Ujëvaren e Drinit të Bardhë dhe Bjeshkët e Rugovës, si dhe vizitë në Bodrumin e Verës).
Ndërsa, David Hobbs, sekretar i përgjithshëm i AP-së së NATO-s, duke shprehur falënderim të veçantë për nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti, tha se falë përkushtimit të z. Haliti u bë i mundur organizimi i këtij seminari, që për herë të parë u mbajt në Prishtinë, ndërkaq, po ashtu shprehu falënderime për organizimin e këtij seminari edhe për Sekretarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ismet Krasniqi. "Nuk ka qenë e lehtë që ky seminar të organizohet në Kosovë. Kemi punuar për vite me radhë që ta krijojmë një formulë që do ta bëjë organizimin neutral ndaj statusit që ka Kosova dhe i kemi tejkaluar të gjitha pritshmëritë me këtë seminar.
Ka shumë çështje të cilat mund t'i adresojmë, meqë janë të përbashkëta. Gjithmonë do të keni mbështetjen dhe përkrahjen e Asamblesë Parlamentare", tha krejtësisht në fund z. Hobbs.