Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor
E Premte, 21.10.2016
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor i kryesuar nga z-nja Duda Balje, kryetare e Komisionit, sot mbajti mbledhje ku pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i shpërnguljes së banorëve të fshatit Hade.
Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në krye me z. Ferat Shala, ushtrues detyre i ministrit dhe sekretari i përhershëm z. Arben Çitaku, pastaj zoti Hilmi Jashari, Avokat i popullit dhe përfaqësuesi i KDI-së.
Duke folur për shpërnguljen e banorëve të fshatit Hade, z. Ferat Shala, ushtrues i detyrës së ministrit, theksoi se për këtë çështje, prej vitit 2004 e deri më 2011, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vepruar sipas Ligjit për ekspropriim të pronës së paluajtshme, kurse prej vitit 2011, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerr Planin e veçantë për shpërngulje dhe tash mbi bazën e këtij Plani çështja e shpërnguljes së banorëve të fshatit Hade edhe po realizohet. Në ekspozeun e vet, z. Shala theskoi se në koordinim të Ministrisë së tij, si dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik dhe KEK-ut, duhet nxjerr Planin tjetër të veprimit, ose në kuadër të Ligjit për Obiliqin, me disa nene shtesë të zgjidhet çështja e shpërnguljes së banorëve të fshatit Hade.
Në vazhdim, duke diskutuar për këtë çështje, anëtarët e Komisionit u pajtuan që, çështja e shpërnguljes së banorëve të fshatit Hade të përfundojë sa më parë, dhe nëse ka nevojë anëtarët e Komisionit do të nxjerrin Rezolutë ose Rekomandim për këtë çështje dhe pastaj do ta dërgojnë për diskutim në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, debatuan për Raportin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në lidhje me ndotjen e mjedisit në fshatin Mirosal - Komuna e Ferizajit.