Lajmet e fundit
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, priti sot në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems
E Premte, 21.10.2016
Deputetja Njomza Emini, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka pritur sot në takim, Gerrie Willems, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Me këtë rast, znj. Emini pasi ka falënderuar znj. Willems për vizitën në Kuvend, mes tjerash theksoi se pret vazhdimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe forcimin e marrëdhënieve në mes të Komisionit për Integrime Evropiane dhe Ambasadës Holandeze në Kosovë.
Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Kosovës, përkatësisht zbatimin e MSA-së dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Me këtë rast, ambasadorja Gerrie Willems ka falënderuar atë për pritjen dhe njëherësh ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim.
Emini, ndërkaq, ka njoftuar ambasadoren holandeze për punën dhe angazhimet e Komisionit që ajo drejton, si dhe me sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova në procesin e integrimit evropian.