Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, ambient dhe planifikim hapësinor
E Enjte, 13.10.2016
Komisioni, të cilin e kryesoi znj. Duda Balje, kryetare e Komisionit, ka mbajtur sot seancën në të cilin, njëra prej pikave të rendit të ditës ishte shqyrtimi i versionit të parë të Projektligjit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.
Në këtë seancë, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë: kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Musa Dragusha, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memorialë të Kosovës, z. Idriz Blakaj, si dhe përfaqësuesit nga OSBE dhe KDI.
Në seancë, duke folur lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, është thënë që i njëjti përmban gjithsejtë 15 nene, dhe se me këtë Projektligj rregullohet, në tërësi, statusi i Kompleksit memorial. Gjithashtu, sipas këtij Projektligji, ky Kompleks shpallet me interes nacional, dhe do të ketë edhe disa dispozita përcjellëse lidhur me funksionimin sa më të mirë të këtij kompleksi.
Në fund të kësaj pike të rendit të ditës, anëtarët e Komisionit formuan një grup punues të veçantë, të përbërë nga 4 anëtarë, me qëllim të finalizimit të këtij projektligji, i cili do të vijë përsëri në shqyrtim si draft ligj, version përfundimtar, për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.