Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 19.10.2016




Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar, u shqyrtua Raporti Financiar i Radiotelevizionit të Kosovës, për periudhën janar - shtator 2016 dhe Programit të Shpenzimeve të RTK-së, për periudhën tetor-dhjetor 2016.


Me këtë rast, Ismet Behxheti, kryetar i bordit të RTK-së, dhe përfaqësues tjerë të këtij institucioni paraqitën aktivitetet gjatë peridhës janar-shtator të këtij viti, si dhe për ato të planifikuara për periudhën tetor-dhjetor të po këtij viti, ndërkaq paraqiti edhe disa fakte të cilat kanë sjellë kosto të lartë dhe kanë rënduar buxhetin e këtij institucioni.


Në vijim, anëtarët e Komisionit kanë shfaqur një varg shqetësimesh lidhur me raportin financiar të RTK-së. Me theks të veçantë paraqitën vërejtje për pagat, meditjet, mallrat dhe shërbimet, duke u shprehur se janë tejkaluar këto shpenzime.


Krejtësisht në fund të këtij diskutimi Komisioni u dakordua që të formojë një grup pune që në bashkëpunim me menaxhmentin dhe drejtorin e bordit të RTK-së të bëjnë detajizimin e shpenzimeve për tremujorin e ardhshëm (tetor-dhjetor), në mënyrë që të arsyetohet çdo shpenzim deri në fund të kësaj jave.


Në vijim, Komisioni shqyrtoi dhe procedoi për seancë plenare Projektligjin nr.05/L-101 për përfomancën energjetike në ndërtesa dhe amendamentet e komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.


Komisioni po ashtu përkrahu edhe raportin me rekomandime të grupit punues për Projektligjin për Ndihmën Shtetërore, si dhe Raportin e grupit të punës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional të Kosovës.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa