Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion....

E Marte, 18.10.2016




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka shqyrtuar sot raportin me rekomandime të Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e shqyrtimit të Raportit Vjetor, sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.


Me këtë rast, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, duke paraqitur arsyetimin e tij lidhur me shkresën drejtuar Komisionit, kërkoi që raporti vjetor i këtij institucioni të mos jetë vetëm proces formal votimi nga Kuvendi, por çështja të debatohet në Kuvend, me prezencën e raportimit të Avokatit të Popullit në Kuvend.


"Institucioni i Avokatit të Popullit ka dorëzuar raporte dhe këto raporte kanë hyrë në proces formal të votimit, mbi bazën e Rregullores së Kuvendit. Kjo nuk duhet të ndodhte, sepse ideja është që raporti i Avokatit të Popullit do të duhej të debatohej në Kuvend, në mënyrë që përfaqësuesit e popullit të kenë mundësi të vlerësojnë nëse janë zbatuar ose jo rekomandimet nga ana e Qeverise dhe pas kësaj të merret përgjegjësia, në mënyrë që të ketë avancim në sistemin e të drejtave të njeriut. Por në rast se ndodh vetëm procesi i votimit atëherë situata vazhdon të mbetet e njëjtë", tha mes tjerash z. Jashari, duke kërkuar që të zbatohet në plotëni Rregullorja e Kuvendit.


Me këtë rast, anëtarët e Komisionit, pas diskutimit të tyre vendosën që këtë çështje ta trajtojnë në një mbledhje të përbashkët me Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe me Avokatin e Popullit, në mënyrë që të nxjerrin një rekomandim për këtë çështje.


Në vijim Komisioni po ashtu shqyrtoi shkresën e Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës. Kjo çështje u procedua në Komisionin për Shëndetësi me rekomandimin që të mbikëqyret zbatimi i ligjit për skemat pensionale.


Komisioni po ashtu zhvilloi një takim edhe me përfaqësues nga UNDP-ja lidhur me mbështetjen që mund t'i ofrojnë Komisionit në raport me Agjencinë Antikorrupsion.


Kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu ka folur edhe për raportin e KDI-së. Ajo shpalosi disa nga gabimet që janë prezantuar në këtë raport sa i përket mbledhjeve të këtij komisioni.


Tutje, Komisioni për Legjislacion diskutoi edhe lidhur me kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga deputeti Slavko Simiq, në emër të nëntë deputetëve të Kuvendit, për shqyrtimin e kushtetueshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Ligjit n3.05/L-120 për Trepçën, të miratuar në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, më datë 8 tetor 2016.


Komisioni gjatë shqyrtimit të kësaj çështje e parashtroi kërkesën për Gjykatën Kushtetuese që mundësisht të përfundoj me këtë lëndë deri më datën 30.10.2016. Duke e shtjelluar më tej këtë çështje Komisioni vendosi që nëse përshpejtimi i këtij rasti është i pamundur, atëherë Gjykata Kushtetuese të pezullojë të gjitha efektet e ligjeve tjera dhe akteve nënligjore që ndërlidhen me Trepçën deri në përfundimin e kësaj lënde nga Gjykata Kushtetuese.

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion....