Lajmet e fundit

Grupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni

E Enjte, 13.10.2016




Në ditën e dytë të vizitës në Slloveni, Grupi i Miqësisë me Slloveninë në Kuvendin e Kosovës, është pritur në takime të veçanta nga kryetari i Këshillit Nacional të parlamentit slloven, Mitja Bervar, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Jozef Horvat, si dhe nga Matej Marn, drejtor politik dhe njëkohësisht edhe drejtor i përgjithshëm për Politikë të Jashtme të Përbashkët dhe Siguri, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.

Takimi me kryetarin e Këshillit Nacional, Mitja Bervar

Në takimin e zhvilluar me z. Bervar dhe anëtarë të Këshillit Nacional, është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë e Slloveni, si dhe më gjerë. Z. Bervar ka theksuar se Këshilli Nacional, si pjesë e organizimit strukturor të parlamentit slloven dhe ai personalisht, mbeten të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërinstitucional me Republikën e Kosovës. Më tej, ai ka shtuar se Sllovenia në plotni mbështet integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, si dhe po ashtu i jep mbështetje të gjithanshme procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.


Në lidhje më anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, anëtari i Këshillit Nacional, njëherësh president i Komisionit Kombëtar Slloven për UNESCO, Stane Pejovnik, ka nënvizuar se ai personalisht dhe institucioni që drejton, janë të gatshëm të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.


Kryetari i Grupit të Miqësisë, Elmi Reçica, duke i falënderuar nikoqirët në emër të delegacionit, ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen sllovene në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Gjithashtu, z. Reçica ka njoftuar z. Bervar dhe kolegët e tij për proceset politike në Kosovë, si dhe për angazhimin e gjithmbarshëm të shtetit dhe shoqërisë kosovare në procesin e ndërtimit të shtetit dhe për përcaktimin e përbashkët drejt integrimit në NATO dhe BE, ku ka ripërsëritur kërkesën për mbështetje nga miqtë sllovenë.


Z. Bervar me kolegë kanë siguruar delegacionin e Kuvendit të Kosovës se Kosova në vazhdimësi do të gëzojë mbështetjen sllovene.

Takimi me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Jozef Horvat

Delegacioni i Kosovës është pritur në takim edhe nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Jozef Horvat. Duke ju dëshiruar mirëseardhje të përzemërt, z. Horvat ka theksuar se i gëzohet vizitës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se Sllovenia dhe Kosova kanë një miqësi tradicionalisht të sinqertë dhe të gjatë.


Ai ka potencuar se procesi i integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike, sikurse edhe vendeve tjera të rajonit, përbën prioritet dhe angazhim aktiv të politikës së jashtme sllovene. Kjo, edhe për arsye se Sllovenia e konsideron veten si vend të lidhur edhe emocionalisht me rajonin, por për më tepër për shkakun që integrimi i plotë i vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike është themel edhe për paqen, stabilitetin dhe mirëqenin e përgjithshme në rajon në Evropë. Më tej, z. Horvat ka nënvizuar se të gjithë në Evropë e kanë shumë të qartë se Kosova ka orientime të palëkundura evropiane dhe se këtë ka pasur rastin ta bisedojë dhe dëgjojë edhe në takimet e fundit me kolegët nga Bundestagu gjerman.


Z. Horvat ka deklaruar gjithashtu se paqja dhe stabiliteti rajonal janë detyrë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve, duke vlerësuar këtu rolin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog me të gjitha vendet fqinje. Në këtë kontekst, ai theksoi se është me rëndësi që Kosova të sillet me përgjegjësi edhe në lidhje me ratifikimn e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, duke shtuar se Sllovenia ka qenë tërësisht e angazhuar që Mali i Zi të bëhet anëtar i NATO-s.


Kryetari i Grupit të Miqësisë, z. Reçica, e ka falënderuar z. Horvat për mikpritjen dhe në emër të delegacionit ka shprehur falënderimet për angazhimin dhe mbështetjen e Sllovenisë në drejtim të integrimit të Kosovës në familjen evropiane dhe euro-atlantike. Z. Reçica ka shtuar se fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimi në BE dhe NATO, mbeten prioritete të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe orientim i përbashkët strategjik i gjithë shoqërisë kosovare.


Në vazhdim, kryetari Reçica e njoftoi homologun e tij slloven për punën e institucioneve të Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe për veprimet e gjithanshme institucionale në adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohet vendi. Në lidhje me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, z. Reçica theksoi se liderët politikë në vend janë duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje dhe shfaqi optimizmin se të gjitha paqartësitë rreth kësaj çështje do të sqarohen. Veç kësaj, ai shtoi se Kosova ndjek politikë të fqinjësisë së mirë dhe ka raporte të shkëlqyera më vendet fqinje, përveç Serbisë, me të cilën Kosova po zhvillon dialog për normalizimin e raporteve.


"Por, ende Serbia po ndjek politikë jo miqësore ndaj Kosovës, përderisa ka vështirësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura", theksoi Reçica. Ai po ashtu foli edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke nënvizuar se është shumë e padrejtë që dy milionë evropianë të mbahen të izoluar, përderisa të gjitha kriteret e vëna Kosovës, janë plotësuar.
Ishte dakordim i përbashkët që të thellohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në të gjitha fushat, veçmas në ekonomi.

Takimi në MPJ sllovene

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës është pritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë nga z. Matej Marn, Drejtor Politik dhe njëkohësisht edhe Drejtor i Përgjithshëm për Politikë të Jashtme të Përbashkët dhe Siguri. Z. Marn ka uruar delegacionin e Kosovës për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, si dhe ka ripërsëritur se Sllovenia mbetet mbështetëse e integrimit të rajonit në BE dhe NATO, dhe se është e gatshme që të ofrojë gjithë ekspertizën e nevojshme për institucionet e Republikës së Kosovës që ndërlidhet me proceset integruese.


Ai më tej ka shprehur interesim për diskutimet politike rreth çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke nënvizuar se për qeverinë sllovene është shumë me rëndësi që agjenda integruese e rajonit të jetë sa më dinamike.


Sa i përket liberalizimit të vizave, z. Marn ka theksuar se Sllovenia mbështet këtë proces dhe shpreson që Kosova do të lëvizë shpejt në përmbushjen e kushteve të mbetura. Gjithashtu, ai shtoi se ministria e jashtme sllovene do të mbetet e angazhuar në mbështetjen e Kosovës për anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe po ashtu edhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e mundshme për njohje të reja.


Kryetari Reçica e njoftoi z. Marn se lidershipi politik i Kosovës është duke diskutuar për gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e situatës së krijuar rreth demarkacionit, duke adresuar shqetësimet e të gjitha palëve, për të dhënë qartësinë e nevojshme që çështja të përmbyllet pa dilema.


Ai po ashtu theksoi se Kosova është duke punuar intensivisht në forcimin e shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar. Në vazhdim Reçica shtoi se anëtarësimi në organizmat rajonal e ndërkombëtar mbetet prioritet i punës së institucioneve shtetërore të Kosovës, kurse si prioritete kryesore të politikës së jashtme mbeten integrimi në strukturat euro-atlantike. Gjithashtu, z. Reçica kërkoi nga z. Marn, që Sllovenia të angazhohet në vazhdimësi për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur atë.


Delegacioni i Kosovës është pritur në një takim miqësor edhe nga kryetari i Bledit, z. Janez Fajfar, i cili me delegacionin ka ndarë informacionet mbi zhvillimet në komunën e drejtuar nga ai, si dhe po ashtu ka theksuar se banorët e Bledin me prejardhje nga Kosova janë shembull i punës së ndershme, solidaritetit qytetar dhe integrimit në shoqërinë sllovene.


Grupi i Miqësisë më Slloveninë i Kuvendit të Kosovës, ka realizuar vizitën zyrtare më ftesë të Grupit të Miqësisë me Kosovën, në parlamentin slloven. Në krye të delegacionit është z. Elmi Reçica, kryetar i Grupit të Miqësisë dhe njëherësh Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, kurse pjesë e delegacionit janë edhe Shpejtim Bulliqi (LDK), Xhevahire Izmaku (PDK), Albulena Haxhiu (VV), Enver Hoti (Nisma për Kosovën), si dhe Sllobodan Petroviq (SLS-Lista serbe).


Në fund të takimeve u rikonfirmua vazhdimi i thellimit të bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy shteteve, nga të dy palët, me ç'rast, përfaqësuesit nga Sllovenia, me ftesë të z. Elmi Reçica, kryetar i Grupit të Miqësisë me Slloveninë, pranuan me kënaqësi të vijnë për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku priten edhe hapa konkret në ofrimin e mbështetjes nga Sllovenia për institucionet e Kosovës, në fusha të ndryshme ekonomike dhe politike.

 

Grupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në SlloveniGrupi i Miqësisë me Slloveninë zhvillon takime me zyrtarët e institucioneve sllovene, në kuadër të vizitës zyrtare në Slloveni