Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme
E Mërkure, 12.10.2016
Kërkesa e iniciuesit të debatit, deputetit Gzim Kelmendi, mbështetur edhe nga grupet opozitare, që në një nga pikat e Projektrezolutës të jetë ndërprerja e bisedimeve me Serbinë deri në lirim e z. Thaçi, përkatësisht, drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, i arrestuar nga autoritetet serbe, ka bërë që të mos ketë harmonizim të tekstit të Projektrezolutës, e cila ishte paraparë të votohet sot gjatë vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të cilën e drejtoi kryeparlamentari, Kadri Veseli.
Mosharmonizimi i qëndrimeve rreth kësaj pike bëri që në Kuvend të zhvillohet debat i gjerë, në të cilën u angazhuan deputetët e të gjitha grupeve parlamentare. Megjithatë, përpjekjet për arritjen e një konsensusi rreth tekstit të Projektrezolutës dështuan, ndërkaq, në votim u hodhën të dyja propozimet: ajo e grupeve parlamentare të VV-së, AAK-së dhe NISMA-s, të cilën e lexoi deputeti, Gzim Kelmendi dhe Projektrezoluta e grupeve të koalicionit qeverisës (PDK, LDK), si dhe Grupi Parlamentar 6+, lexuar nga deputeti, Armend Zemaj.
Deputetët me shumicë votash përkrahen projektrezolutën e propozuar nga PDK, LDK dhe 6+, e cila ka këtë përmbajtje:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Nehat Thaçi, epror Policisë së Republikës së Kosovës.
2. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes mekanizmave të saj, të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë për lirimin e eprorit, Nehat Thaçit.
3. Ç'do komunikim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për rastin e arrestimit të z. NehatThaçi, deri në lirimin e tij, të bëhet vetëm nëpërmjet Zyrës së Mogherinit, si përfaqësuese e lartë e BE-së.
4. Qeveria e Republikës së Kosovës t'i bëjë me dije BE-së se, veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, po e rrezikojnë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe dialogu në mes dy vendeve duke na detyruar në reciprocitet.
5. Misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e z. Thaçi, njëherësh kërkojmë angazhim të drejtpërdrejtë si mision me kompetenca të veçanta.
6. Kërkojmë nga Interpoli që, Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, njëherësh insistojmë që fletarrestet politike të shpallura nga Serbia, të largohen nga sistemi i tyre ligjor.
Në këtë seancë, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, propozoi që mëditjet e deputetëve nga kjo seancë t'i dedikohen familjes së drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.
Propozimi u hodh në votim, ndërkaq, nuk gjeti përkrahjen e mjaftueshme.