Lajmet e fundit
Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Marte, 11.10.2016
Pas përfundimit të seancës së rregullt plenare, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vijuar me një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është debatuar lidhur me arrestimin e policit të Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë.
Kjo seancë, e cila është mbajtur me iniciativë të deputetit Gëzim Kelmendi, mbështetur nga një numër i madh deputetësh (45 sish), është kryesuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli.
Duke shprehur indinjatën për arrestimin e policit Thaçi nga ana e autoriteteve serbe, iniciuesi i debatit, deputeti Kelmendi, u shpreh se debati i sotëm do të ndikojë në lirimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Thaçi. Ai tha se duhet të jemi të bashkuar që të jetësojmë lirinë e lëvizjes për qytetarët tanë. Duhet, tha ai në vijim, që Serbisë t'i japim mesazh të qartë, sepse nuk lejojmë denigrimin e qytetarëve tanë.
Ai me këtë rast paralajmëroi edhe një rezolutë, nëpërmjet së cilës do të kërkojë edhe ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, si dhe lirimin e menjëhershëm e të pakusht të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.
Folën më pas përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, shefi i këtij grupi, deputeti Zenun Pajaziti, tha se arrestimi i pjesëtarit të policisë, Thaçi, paraqet një nga sfidat, të cilat Serbia po na i shkakton në vijimësi.
Më pas, ai tha se Serbia ka aktivizuar fletëarreste, të cilat kanë qenë të suspenduara, ndërkaq, kërkoi angazhim edhe më të madh të të gjithë faktorëve, në mënyrë që drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, të lirohet sa më parë. Pajaziti, po ashtu vlerësoi se, duhet angazhim edhe më i madh edhe për anëtarësimin e Policisë së Kosovës në Europol e Interpol.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se e dënojmë këtë akt të autoriteteve serbe dhe shtoi po ashtu se këto veprime nuk janë në frymën e ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore. Kërkojmë tha ai në vijim, që këto veprime të ndalen dhe të mos përsëriten, ndërkaq, nga faktori ndërkombëtar kërkoi që të ushtrojë presion ndaj autoriteteve serbe për të ndaluar këto praktika provokimi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, pasi që drejtoi një mori akuzash në adresë të Qeverisë, në mënyrë kronologjike kujtoi rastet, sikurse është arrestimi i pjesëtarit të policisë Thaçi. Me këtë rast, ai kujtoi edhe arrestimin e katër policëve të Kosovës, arrestimin e dy ish kryeministrave të Kosovës (Haradinaj e Çeku), vrasjen e Selver Haradinaj, si dhe të policit, Enver Zymberaj. Në këtë vazhdë, po ashtu ai kujtoi edhe shumë raste të tjera, përfshirë këtu edhe vrasjen e doganierit të EULEX-it.
Ndaj të gjitha këtyre rasteve, vijoi ai, Qeveria nuk është sjellë në mënyrë adekuate, por, ka vijuar me dialogun pa asnjë kusht. Sipas tij, duhet një pako masash urgjente që t'i pamundësohet Serbisë realizimi i skenarit të saj në Kosovë.
Duke folur në emër të AAK-së, kryetari i këtij Grupi Parlamentar, Pal Lekaj, u fokusua në dëmet që, sipas tij po sjell dialogu me Serbinë, nga i cili është duke përfituar vetëm shteti serb. Ne tha ai, nuk kemi përfituar asgjë nga dialogu, ndërkaq, përmendi fatin e pa zbardhur të të zhdukurve, si dhe mungesën e lëvizjes së lirë për qytetarët e vendit.
Marrëveshjet e arritura deri metani, tha Lekaj, nuk janë në frymën demokratike të vendit tonë, i cili synon integrimin e plotë në strukturat Euro-atlantike. Sipas tij, edhe arrestimi i policit Thaçi, është si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme nga ana e Qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesi i NISMA-s, deputeti Zafir Berisha, vlerësoi se rastet sikurse arrestimi i pjesëtarit të Policisë së Kosovës Thaçi, ndodhin për shkak se në Serbi politikëbërja buron nga i njëjti mentalitet sikurse që ka qenë paraardhësi i kësaj politike Millosheviq. Ai me këtë rast kujtoi se Serbia në Kushtetutën e saj ende e mban Kosovën si pjesë përbërëse, ndërkaq, bisedimet me të i cilësoi si gabim të Qeverisë së vendit.
Shqetësimin lidhur me arrestimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës e shfaqi edhe deputeti Qerim Bajrami, përfaqësues i Grupit Parlamentar 6+.
Ne tha ai, kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi. Ai vlerësoi se arrestimi nuk është i rastësishëm, por, i menduar paraprakisht me qëllim provokimi, ndërkaq, kërkoi që ndaj kësaj situate të sillemi me pjekuri shtetërore.
Pas kësaj, deputetëve u është drejtuar kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i cili për situatën e krijuar pas arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi, tha se është e pakëndshme dhe problematike.
Sjelljet e shtetit serb i cilësoi si të pa kuptimta dhe të dëmshme, të cilat nuk janë në frymën e orientimit evropian dhe ndikojnë negativisht në përmirësimin e raporteve të mira ndërfqinjësore.
Lidhur me këtë çështje, tha kryeministri në vijim, jemi në situatë të pafavorshme, sepse, nuk jemi pjesë e institucioneve, siç janë Interpol dhe Europoli. Kjo tha ai, na pamundëson që të kemi qasje në listat, të cilat Serbia i ka formuluar dhe po ndalon qytetarët tanë si të dyshimtë për krime gjatë luftës.
Në vijim ai njoftoi për veprimet që ka ndërmarrë Qeveria për lirimin e policit Thaçi, ku me këtë rast përmendi angazhimin e ministrive kompetente, përkatësisht, atë të Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe atë të Punëve të Brendshme.
Lidhur me kërkesën e disa deputetëve, si dhe atë të iniciuesit të debatit se pas kësaj duhet ndërprerë dialogun me Serbinë, kryeministri Mustafa, u shpreh:" Kushtëzimi i dialogut me lirimin e pjesëtarit të policisë, Thaçi, nuk është në interesin e Kosovës".
Folën më pas anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësisht, ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ai i Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se që nga momenti arrestimit të policit Thaçi, jemi marrë intensivisht me koordinim ndërinstitucional për lirimin e tij. Arrestimi tha ai, nuk është i rastësishëm, por i planifikuar, ndërkaq, sqaroi se kanë kontaktuar me të gjithë faktorët relevant që është menduar se kanë ndikim në lirimin e policit, Thaçi.
Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë Dhurata Hoxha, njoftoi se akuzat, të cilat Serbia është duke u shërbyer për ndjekjen e qytetarëve tanë, datojnë që nga aviti 2010, por që nuk i janë komunikuar institucioneve të Kosovës. Ajo po ashtu njoftoi se autoriteteve serbe i është drejtuar me notë proteste, duke kërkuar po ashtu që rastet si ky, të trajtohen nga institucionet e vendit tonë. Jemi të koordinuar me të gjithë faktorët relevant të vendit dhe ndërkombëtar, tha ajo më pas, që lirimi i pjesëtarit të policisë, Thaçi, të ndodhë sa më parë.
Për angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi, njoftoi i pari kësaj ministrie, Skender Hyseni.
"Arrestimi i pjesëtarit të policit Thaçi, është i papranueshëm dhe preteksti është inekzistent", tha ai, ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit Rexhep Selimi; se a kanë qenë të njoftuar me udhëtimin e pjesëtarit të policit Thaçi, ai tha:" Nuk kemi qenë të njoftuar për udhëtimin e tij". Për më shumë, ai po ashtu sqaroi se, sipas Raportit të Policisë, shihet se në strukturat e policisë, nuk është biseduar lidhur me udhëtimin e tij.
Pasi që njoftoi për veprimet e ndërmarra nga ministria për lirimin e pjesëtarit të policisë së Kosovës, ai në vijim të fjalës së tij u angazhua që kundruall kësaj situate të sillemi me pjekuri. Po ashtu, ministri Hyseni sugjeroi pjesëtarët e Policisë së Kosovës që në rast të udhëtimit jashtë vendit, të evitojnë rrugëtimin nëpërmjet territorit të Serbisë. Në fund të fjalës së tij, ministri Hyseni, po ashtu u angazhua dhe tërhoqi vëmendjen që të mos bëhen veprime që ia rëndojnë gjendjen e policit të arrestuar.
Folën më pas një numër i madh deputetësh, ku u vunë re qëndrime të nduarduarta.
Deputetët opozitar kërkuan ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, ndërkaq, ata të koalicionit qeverisës ishin më të përmbajtur në qëndrimet e tyre, ndonëse, të gjithë u pajtuan se arrestimi pjesëtarit të policisë, Thaçi, është provokim dhe i paligjshëm nga ana institucioneve serbe. Po ashtu, gjatë debatit deputetët thanë se me arrestimin e policit të Kosovës nga ana e Serbisë, ajo shpërfaq disponimin e saj kundër Kosovës dhe orientimin kundër vlerave civilizuese.
Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, ndërkaq, u angazhua që teksti i propozim Rezolutës të jetë racional në harmoni me mundësit e implementimit të saj.
Në fund, deputetët u dakorduan që nëpërmjet përfaqësuesëve të grupeve parlamentare të harmonizohet një tekst i Rezolutës, i cili do të hedhet në votim nesër gjatë vazhdimit të kësaj seance, e cila do të fillojë në orën 10:00.
Në mungesë kuorumi, ndërkaq, në seancën e paradites, nuk është zgjedhur një (1) anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës..