Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme...priti një grup studentësh nga Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
E Marte, 11.10.2016
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i kryesuar nga z. Fadil Demaku, zëvendëskryetar i Komisionit, priti në takim grupin e studentëve pjesëmarrës në Kursin e Lartë për Siguri dhe Mbrojtje të Akademisë së Forcave të Armatosura nga Republika e Shqipërisë, të kryesuar nga Kolonel Çlirim Toci. Pjesëmarrës në këtë kurs ishin personel ushtarak nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Gjeorgjia, Italia, Rumania dhe Kosova. Fillimisht z.Demaku iu uroi mirëseardhje pjesëmarrësve duke i njoftuar me përbërjen e Komisionit. Më tutje nga z. Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit, është prezantuar fushëveprimtaria e Komisionit, praktikat e mbikëqyrjes parlamentare ndaj sektorit të sigurisë në Kosovë , si dhe për arkitekturën e Sigurisë në vendin tonë.
Më tutje studentët mysafirë shtruan pyetje të ndryshme, lidhur me situatën politike aktuale dhe çështje të ndryshme. Pyetjet lidheshin kryesisht me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, si reflekton kjo marrëveshje në aspektin e sigurisë?, Sa ndikojnë bisedimet Kosovë-Serbi dhe marrëveshjet e arritura në aspektin politiko-ushtarak dhe në atë të sigurisë? Sa është e rrezikuar Kosova nga pjesëmarrja e qytetarëve të saj në lufta jashtë vendit?
Nga ana e anëtarëve të Komisionit u dhanë përgjigjeje pyetjeve të parashtruara , duke i theksuar çështjet e ngritura, ndër më kryesoret dhe aktualet për momentin në Republikën e Kosovës, e duke pohuar se nga institucionet e Kosovës është duke u vepruar me përgjegjësi dhe në përputhje me rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare.
Në mbyllje të takimit, Kryesuesi falënderoi mysafirët për prezencën e tyre në Komision, ndërsa nga kolonel, Çlirim Toci, u tha që takimi ishte një mundësi e mirë për tu njohur më nga afër me situatën aktuale dhe punën praktike të Komisionit,duke falënderuar për mundësinë që u ishte dhënë.