Lajmet e fundit
Mbledhja plenare e Kuvendit
E Marte, 11.10.2016
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga Sabri Hamiti, nënkryetar), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Arsim Bajrami, Hykmete Bajrami,Skender Hyseni dhe Lutfi Zharku.
Në vijim, deputetët me shumicë votash emëruan Avdullah Aliun, anëtar në Komisionin për Kërkesa Pronësore, si dhe votuan pro Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, ndërkaq nuk përkrahën Propozim-Rezolutën lidhur me Kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës dhe as Propozim-Rezolutën lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Në vijim deputetët shqyrtuan dhe përkrahën në lexim të parë Projektligjin nr. 05/L-117 për Akreditim, të cilin e prezantoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Po ashtu, deputetët përkrahën edhe Projektligjin nr. 05/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta.
Tutje, Kuvendi shqyrtoi Raportin mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Me këtë rast, Sadri Ferati, zv.kryetar i parë i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, tha se Komisioni ka shqyrtuar dhe përkrahur raportin dhe i rekomandon Kuvendit për miratim.
Me këtë rast, Agim Aliu, duke shprehur qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se PDK-ja mbështet rekomandimet e Komisionit, duke kërkuar me këtë rast që të mos ketë avancime të padrejta dhe të natyrës politike në shërbimin civil. Ndërkaq, Sadri Ferati, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës , tha se LDK-ja përkrah raportin, ndërsa shtoi se rezultatet akoma mungojnë në shërbimin civil , duke kërkuar me këtë rast që të vijë në shprehje kualiteti i kandidatëve të cilët aplikojnë si shërbyes civil.
Në vijim, deputetët opozitar paraqitën qëndrimin e tyre kundër këtij raporti.
Shqipe Pantina, duke folur në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se ndonëse ka disa përmirësime në raport krahasuar me vitin paraprak, paraqiti disa vërejtje. Me theks të veçantë, ajo përmendi vërejtjet e dala nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian dhe vërejtje e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës,që kanë të bëjnë me reformat në administratën publike. Me këtë rast, ajo tha se në këtë raport mungojnë të dhënat, sidomos ato analitike. Ndërsa, Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vlerësoi se raporti është i përgjithësuar dhe se nuk është paraqitur ajo çfarë po ndodh në teren. Ai tha se jemi larg standardeve që i kërkon koha dhe larg standardeve të BE-së, duke përmendur me këtë rast procesin e rekrutimit, për të cilën çështje tha se ka shkelje drastike në shumë departamente të institucioneve qendrore dhe lokale.
Ndërsa, Zafir Berisha, duke folur në emër të grupit parlamentar të Nisma-s tha se ky raport edhe pse ka nuanca pozitive në krahasim me vitet e kaluara, nuk i plotëson kushtet për miratim, për shkak të shkeljeve dhe të papërgjegjësisë së shërbyesve civil, duke përmendur me këtë rast edhe dëmtimin e buxhetit të shtetit.
Me këtë rast, edhe disa nga deputetët e komuniteteve pakicë, paraqitën disa vërejtje, me theks të veçantë në paraqitjen e statistikave në raport lidhur me përfaqësimin e komuniteteve pakicë në administratën publike.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, duke dhënë sqarime para deputetëve tha se në këtë raport prezantohet puna e të gjitha institucioneve të vendit, të nivelit lokal dhe atij qendror, ndërkaq përmendi faktin e plotësim ndryshimeve të ligjeve që rregullojnë këtë çështje, që sipas tij duhet filluar me procedurat.
Duke u përgjigjur në çështjet që u ngritën nga deputetët, mes tjerash ministri Yagcilar tha se sa i përket procedurave të rekrutimit, MAP-i nuk ka asnjë përgjegjësi dhe se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës nxjerr vendimin, ndërsa MAP nuk ka asnjë kompetencë. Pas këtij diskutimi Kuvendi miratoi Raportin mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Deputetët shqyrtuan edhe Raportin e Agjencisë së statistikave të Kosovës për vitin 2015, ndërkaq nuk e përkrahën atë.
Në vazhdimin e sanës, pasdite, deputetët kanë proceduar me zgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Duke e parë se nuk ka kuorum për votimin e kësaj pike të rendit të ditës, kryeparlamentari Veseli e ka përfunduar seancën, duke e shtyrë votimin për ndonjë seancë tjetër.