Lajmet e fundit
Nënkryetarët Haliti e Dërguti po marrin pjesë në punimet e Sesionit të Katërt të Rregullt të AP të Këshillit të Evropës
E Marte, 11.10.2016
Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, i përbërë nga nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Aida Dërguti, po merr pjesë në punimet e Sesionit të Katërt të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).
Gjatë punimeve, më 5 shtator 2016, Byroja e APKE-së ka marrë vendim lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, i cili parashikon ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të APKE-së me Kuvendin e Kosovës.
Të hënën, ndërkaq, gjatë Sesionit të Katërt të Rregullt të APKE-së, ky vendim u ratifikua me shumicë votash.
Sipas këtij vendimi, që prej janarit të vitit 2017, Kosova ka të drejtë të caktojë një delegacion prej tre anëtarësh, ku do të përfaqësoheshin pozita, opozita dhe minoritetet.
Përfaqësuesit e Serbisë dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë lobuar që t'ia pamundësojnë delegacionit nga Kuvendi i Kosovës pjesëmarrjen në punimet e APKE-së.
Delegacioni i Kosovës në bashkëpunim me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, të cilin e udhëheqë Valentina Leskaj, si dhe me anëtarët e shteteve mike të Republikës së Kosovës, zhvilluan lobim të fuqishëm. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, falënderon, në veçanti, znj. Valentina Leskaj, e cila është edhe pjesë e Byrosë të APKE-së, për angazhimin e saj me përkushtim gjatë mbledhjeve të Byrosë, Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, seancave plenare, që Kuvendit të Kosovës t'i jepet e drejta që të përfaqësohet me delegacionin e tij për herë të parë në APKE, institucion në të cilin bëjnë pjesë delegacionet e 47 vendeve anëtare. Në këtë institucion, delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të ketë mundësi për lobim, si dhe të përfitojë asistenca të ndryshme në ndërtimin dhe zhvillimin e diplomacisë parlamentare, të cilat ofrohen nga Këshilli i Evropës.