Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Hënë, 10.10.2016
Ministrja për dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka raportuar sot para anëtarëve të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Mbledhja është kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Xhevahire Izmaku, e cila vuri në spikamë rëndësinë e informimit lidhur me dialogun, me theks të veçantë atë që ka të bëjë me qeverisjen lokale, e që është në domenin e fushëveprimtarisë së Komisionit.
Ministrja Tahiri, ndërkaq, në ekspozenë e saj me këtë rast, u fokusua në marrëveshjen lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën ndër të tjera tha :" Marrëveshja e Brukselit për Asociacion e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e arritur më 25 gusht 2015, është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, përkatësisht statuti i asociacionit, do të respektojë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 dhjetor të vitit 2015. Sipas marrëveshjes së Brukselit, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë niveli i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës. Asociacioni do të jetë një strukturë e përbërë nga komunat me shumicë serbe që vepron në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikë së Kosovës. Asociacioni nuk mund të marrë vendime për komunat dhe as në emër të komunave si anëtare të saj".
Në vijim, ministrja po ashtu sqaroi se ideja e krijimit të asociacioneve në Kosovë buron nga Plani i Ahtisarit, i cili ishte bazë për Kushtetutën e Pavarësisë së Kosovës.
Duke folur më tej rreth kësaj çështjeje, ajo sqaroi edhe kompetencat që do të ketë ky asociacion. Lidhur me këtë, ajo u shpreh: "Kushtetuta e vendit, përkufizon qartë sistemin politik të Kosovës me dy nivele të qeverisjes: nivelin qeverisës qendror dhe lokal" dhe shtoi se, me marrëveshje, Serbia ka pranuar që asociacioni me shumicë serbe në Kosovë të themelohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj.
Asociacioni, vijoi ajo, do të kontribuojë për integrimin e plotë të serbëve të Kosovës në sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikë së Kosovës, dhe me këtë rast do të shuhen të gjitha strukturat paralele të Serbisë në shtetin e Kosovës". Shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, vijoi ajo, është kusht për themelimin e asociacionit.
Për sa i përket pasurisë, të cilën Asociacioni mund ketë, ajo nënvizoi:
"Asociacioni mund të bëhet pronar i pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme, në kushtet dhe rregullat e njëjta, sikurse që është asociacioni ekzistues i Kosovës, por, në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronar i pasurisë publike të Kosovës, qoftë pronësisë të nivelit qendror apo lokal. Nuk do të ketë, sqaroi ajo më pas, asnjë rolë në menaxhimin e resurseve natyrore të Kosovës.
Duke folur për simbolet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq, ministrja Tahiri tha se ato duhet të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe të reflektojnë karakterin shumetnik të saj.
Anëtarët e Komisionit, nga ana e tyre, vunë në spikamë nevojën e informimit të saktë dhe me kohë lidhur me dialogun.
Deputeti, Zafir Berisha, duke vlerësuar se dialogu është i dëmshëm, duke vënë në dukje edhe të metat e tjera gjatë këtij procesi, të cilat sipas tij, janë si pasojë e sjelljes jo shtetërore të delegacionit tonë në bisedime. Ai me këtë rast kujtoi edhe arrestimin e policit kosovar, Nehat Thaçi, sikurse deputeti tjetër, Lahi Brahimaj.
Komisioni kërkoi shpjegim edhe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ndërkaq, lidhur me këtë, ministrja Tahiri tha se kjo çështje do të shtrohet në raundin e tretë të bisedimeve.
Deputetët, Zenun Pajaziti, Agim Kikaj, Kujtim Paqaku e Sadri Ferati, ndërkaq, thanë se e përkrahin dialogun, si të vetmen mënyrë të normalizimit të raporteve me Serbinë, por kërkuan që të njoftohen në vijimësi lidhur me bisedimet në Bruksel.
Në fund, ministrja Tahiri pasi që i siguroi anëtarët e komisionit se dialogu në Bruksel është i dobishëm për vendin dhe se do të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve, ajo po ashtu i ftoi anëtarët e këtij komisioni që të jenë pjesë e delegacionit.