Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

E Premte, 07.10.2016




Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, shefi i grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri, ka propozuar që në seancën e sotme të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trepçën, duke i hequr të 12 pikat e tjera. Beqiri ka propozuar gjithashtu që po sot të mbahet një seancë e re për miratimin përfundimtar të Ligjit për Trepçën.


Këtë propozim e ka përkrahur Zenuni Pajaziti në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së.


Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka pohuar se nuk ka asnjë arsye që ligji të shqyrtohet për nguti Ai ka theksuar se Qeveria ka pasur mbi dy vjet kohë për të përgatitur një projektligj cilësor, duke u dhënë kohë të mjaftueshme deputetëve për amendamentimin e tij, në interes të vendit, të minatorëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

 

Slavko Simiq, kryetar i grupit Parlamentar "Lista Serbe", jo që nuk i ka dhënë përkrahje shmangies nga Rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit për "Trepçën", por ka kërkuar që ky projektligj të hiqet nga proceduara e seancës së sotme .

Përkrahje, ndërkaq i kanë dhënë, Pal Lekaj, në emër të AAK-së dhe Fatmir Limaj, në emër të Nismës për Kosovën.

Me shumicë votash të deputetëve ka kaluar propozimi për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit, që sot do të mbahet një seancë e re për ta shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për Trepçën dhe miratuar atë. Nuk ka kaluar, ndërkaq , propozimi i z.Simiq për tërheqjen nga procedura kuvendore këtij projektligji.

Projektligjin për Trepçën e ka prezantuar para deputetëve kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili atë e ka quajtur shumë të rëndësishëm për vendin dhe mirëqenien e minatorëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai Trepçën e ka quajtur simbol të sakrificës së minatorëve të saj edhe të zhvillimit të vendit.

"Resurset minerare janë resurse të patjetërsueshme të vendit", ka theksuar kryeministri, duke vënën pah se shfrytëzimi i këtyre resurseve mund të bëhet vetëm në bazë të licencave, mbi bazë të ligjit. Ai ka theksuar se projektligji është hartuar pas analizash dhe debatesh të shumta, përfshirë edhe studime të ekspertëve të njohur ndërkombëtarë për raste të ngjashme me Trepçën. "Trepça sipas këtij Projektligji do të organizohet si shoqëri aksionare", ka thënë kryeministri, i cili ka vënë në spikamë faktin që ligji përcakton Qeverinë si pronare të 80 për qind të aksioneve të Trepçës, kurse 20 për qind të tyre do të jenë pronë e minatorëve të saj. Po në këtë proporcion do të jetë edhe e drejta e qeverisjes në këtë ndërmarrje, si dhe dividenta nga ato aksione. Mustafa i ka garantuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës se Trepça do të jetë korporatë unike.

Në emër të komisionit funksional të Kuvendit mbështetje Projektligjit i ka dhënë Muhamet Muistafa, kryetar i Komisionit për zhvillim ekonomik, duke e cilësuar atë më të mirin të mundshëm në situatën e dhënë dhe në interes të vendit, të minatorëve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, projektligjin e ka mbështetur Sala Berisha- Shala, e cila sjelljen e tij për miratim në Kuvend e ka quajtur ngjarje të rëndësishme për Kosovën. Ajo është shprehur e bindur se me miratimin e tij do të fillojë një fazë e re e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Edhe Ismet Beqiri, në emër të LDK-së, i ak dhënë mbështetje këtij projektligji, duke i falënderuar kryeministrin, Qeverinë dhe të gjithë të tjerët që kanë ndihmuar në përgatitjen e tij.


Ai ka kërkuar nga deputetët që ta përkrahin këtë Projektligj.


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri , ka theksuar me miratimin e këtij projektligji Qeveria po synon të bëjë pazare me Trepçën. " Trepçën nuk po e merr Kosova, por ajo po përgatitet që të sitet", ka theksuar ai duke u shprehur i bindur se projektligjin nuk e ka hartuar Qeveria por avokatët e korporatave.që synojnë ta blejnë, ka thënë Ymeri. Ai ka thënë se Trepça do ta shesin siç e shesin hajnat veturën e vjedhur, pjesë-pjesë. Ymeri është shprehur bindur se projektligjin nuk e hartuar Qeveria , por avokatët e korporatave që do ta blejnë këtë pasuri tonë kombëtare.

Slavko Simiq, kryetar i grupit Parlamentar "Lista Serbe", ka theksuar se e gjithë bashkësia serbe është e bindur se ky projektligj rrezikon mirëqenien, madje edhe ekzistencën e kësaj bashkësie në Kosovë. Lista serbe ka qenë e gatshme që të përgjigjet ftesës që të gjitha problemet të zgjidhen me dialog. "Insistojmë që çështja e Trepçës të zgjidhet me dialog dhe jo me këtë projektligj", ka thënë ai duke kërkuar që ky projektligj të hiqet nga proceduara parlamentare.

Pal Lekaj (AAK), fjalën e tij e ka filluar me sloganin:" "Trepça të fillojë - Qeveria të mos gabojë". Ai ka thënë se ngutja për kalimin e këtij ligji tregon se po bëhet për interesa të ngushta të Qeverisë dhe të individëve të caktuar. Ai ka thënë se Trepça është sinonim i sakrificës dhe i të mirës së minatorëve dhe i të gjithë qytetarët e Kosovës.."Ne do të propozojmë amendamente që ta përmirësojmë ligjin dhe jo të miratohet në formën e ofruar", ka theksuar ai duke kërkuar që të pranohet kontributi i gjithë punëtorëve të Trepçës, që nga viti 1989.

Kryetari i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka theksuar se Trepça nuk është e një qeverie me mandat, por është pasuri e Kosovës, prandaj duhet të merren parasysh vërejtjet e çdo grupi parlamentar.
"Nëse e krahasojmë një tentativë pra 10 muajve për miratimin e Projektligjit për Trepçën, Qeveria e Kosovës tani ka ardhur me një projektligj shumë më ndryshe se ai i mëparshme, prandaj edhe do ta votojmë këtë", ka thënë ai.


Limaj ka ngritur edhe çështjen e aseteve, duke kërkuar që ato të përmenden në këtë pl. Ai ka kërkuar që shprehimisht të thuhet: " Të gjitha asetet e Trepçës të së kaluarën t'i kalojnë ndërmarrjes së re aksionare".


Nënkryetari Kuvendit, Sabri Hamiti, ka kërkuar për deputetët që në ligj të precizohen përgjegjësitë e Kuvendit të Kosovës për Trepçën e së ardhmes, aq më partë që 80 për qind e aksioneve do të jenë të Qeverisë. Këtë ide e kanë mbështetur disa deputetë të tjerë nga radhët e pozitës dhe të opozitës parlamentare.

Kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik,Muhamet Mustafa, ka vu në pah debatet e shumta që janë mbajtur me ekspertë ndërkombëtarë për çështjen e Trepçës, përfshirë edhe ekspertët serbë. "Kisha dashur që ta tejkalojmë retorikën politike. Ligji nuk është për ta shitur Trepçën por për ta mbrojtur dhe funksionalizuar", ka theksuar Mustafa, duke i siguruar punonjësit e Trepçës se do të jenë titullarë të pronës.

Zv.kryeministrit, Hajredin Kuqi, ka pohuar:"Trepçën po e shndërrojmë në ndërmarrje profitabile ", duke i siguruar deputetët se Trepça nuk do të jetë në dy njësi. Ai ka spikatur se resurset minerare janë të interesit të përgjithshëm dhe se asetet në menaxhim i ka pasur AKP-ja. "Bordi t'i raportojë Kuvendit në baza vjetore dhe statuti i kësaj ndërmarrje mund të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, ka thënë Kuçi. Ai ka pohuar se mosintegrimi i pjesës veriore ka ndikuar edhe në moszhvillimin e Trepçës. Zhvillimi i Trepçës, ndërkaq do ta zhvillojë dhe integrojë pjesën veriore të Kosovës, është shprehur i bindur ai. Vonesën e projektligjit në Kuvend, ndërkaq, e ka arsyetuar me atë se ligji do të ndryshonte shumë për së keqi, po të vinte më herët e të qëndronte më gjatë në procedurë parlamentare.


Kryetari i Grupit Parlamentar VV, Glauk Konjufca, ka theksuar se Qeveria e Kosovës dy herë radar po merr veprime nën presion për Trepçën, pa ndonjë plan të qartë për perspektivën zhvillimore. "Janë kënaqur që e kanë shmangur likuidimin e Trepçës", ka thënë ai duke pohuar se Trepça po mbahet me frymë artificiale dhe infuzion, sa për ta mbajtur në jetë. Në Trepçë është vjedhur, ka thënë ai, duke kërkuar që hajnat të kapen dhe të dënohen. "Trepça trajtohet si ndonjë veturë e vjetër, e amortizuar. E shesin idenë se Trepça është e mbivlerësuar. Shumnica e trumbetuesve të tillë do të përfundojnë si administratorë të pronarëve që do ta blejnë Trepçën. Ajo ka përfunduar në këtë gjendje ,pa investime, sepse nuk ka qenë gurthyes apo asfalt", ka përfunduar Konjufca.

Në debat kanë marrë pjesë edhe deputetë të tjerë të shumtë si: Besim Beqaj, Raif Çela,Sadri Ferati, Rustem Berisha, Ismail Kurteshi,, Ramiz Kelmendi, Abdyl Ymeri, Shpëtim Bulliqi, Nenad Rashiq, Donika kadja - Bujupi. Shukri Buja,Enver Hoti, Faton Topalli, Sala berishas- Shala, Shqipe Pantina, Albin Kurti, Teuta Haxhiu, Mutaher Haskukaj dhe Muhamet Mustafa, të cilët kanë shkoqitur nga përmbajtja e këtij projektligji, duke bërë kritika për çështje të caktuara që mëton të rregullojë ai, por edhe duke dhënë ide që do të materializoheshin nga komisioni funksional në pauzën para se të fillojë seanca tjetër për miratimin përfundimtar të Ligjit për Trepçën

 

 

Nga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e KuvenditNga seanca plenare e Kuvendit