Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik vizitoi ARKEP-in

E Marte, 04.10.2016




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, realizoi sot, një vizitë pune në Autoritetin Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Komisioni u prit nga Bordi i ARKEP-it, i kryesuar nga z. Kreshnik Gashi, i cili e njoftoi Komisionin me sukseset dhe sfidat e kësaj agjencie të pavarur, që i raporton Komisionit. Gashi vuri në spikamë tregun e komunikimeve elektronike, si atë fikse dhe mobile, planet për të ardhmen e agjencisë, si dhe rolin që ka ARKEP-i në negociata për telekomunikacion dhe mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Ai kërkoi, ndërkaq, që ARKEP-i të përkrahet nga Komisioni, në pavarësinë financiare, në mënyrë që ta kenë një buxhet të mjaftueshëm për funksionim. Gashi vuri në dukje edhe problemet që shkaktohen nga Ligji për menaxhimin e financave publike.

Kryetari Mustafa, ndërkaq, i dha përkrahje Bordit të ARKEP-it në punën e tij, sidomos në atë të buxhetit dhe kërkoi përqendrim më të madh në zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, respektivisht Komisionit, siç janë: çështja e konsolidimit të mëtejmë të operatorit publik, aspekti i konkurrencës dhe cilësia e standardeve në fushën e telekomunikacionit. Po ashtu, edhe deputetët prezentë shtruan tema për trajtim, lidhur me operatorët ilegalë, Kodin e diskutuar shtetëror +383, mungesën e stacionit monitorues fiks dhe njëkohësisht morën informata rreth negociatave me Serbinë, sa i përket marrëveshjeve për telekomin.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik vizitoi ARKEP-in