Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 03.10.2016
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare këtë të premte, më 7 tetor, në orën 15:00, në të cilën pritet të shqyrtojë disa projektligje dhe raporte.
Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.
Në seancën e të premtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të shqyrtohet Projektligji për Trepçën, nëse deri atëherë do të procedohet nga ana e qeverisë.
Më pas, Kuvendi do të përfundojë procesin e votimit për disa pika nga seanca e kaluar: votimin për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore, votimin për Projektligjin për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, votimin e Propozim-Rezolutës lidhur me Kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe atë lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Në vazhdim, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për akreditim, ndërsa për herë të dytë atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta.
Mbledhja e Kuvendit do të vazhdojë me zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shqyrtimin e raportit mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015, si dhe të raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, po ashtu për vitin 2015.
Kryesia, ndërkaq, nuk përfshiu në rend dite dy pika të cilat ishin hequr në seancën e kaluar: shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 05/106, datë 25.08.2016, me të cilin konsiderohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e Kompanisë Envidity Energy Kosova LLC, si dhe propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 06/106, datë 25.08.2016, me të cilin konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për Projektin e Kompanisë Sharr Cem dhe Titan Amerika.