Lajmet e fundit
Mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 29.09.2016
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Sabri Hamiti), filloi me fjalimin e nënkryetarit Sabri Hamiti, për të kujtuar 25 vjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, që u mbajt nga 26-30 shtator të vitit 1991.
"99,87 për qind të qytetarëve të Kosovës që dolën atë ditë në referendum, 81.01 për qind e trupit votues, votuan për. Gati 1 milionë njerëz treguan vullnetin për pavarësi të Kosovës.
Referendumi për pavarësi vërtetoi dhe legjitimoi Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut të vitit 1990 dhe shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 shtatorit të po këtij viti" tha nënkryetari Hamiti, duke shtuar se, referendumi u parapriu zgjedhjeve të para demokratike parlamentare e presidenciale në vend më 24 maj të vitit 1992.
"Këto ishin themelet juridike e demokratike të shtetit të Kosovës, që do të bëhej me rrugë institucionale, politike, më vonë edhe ushtarake, për liri e pavarësi të vendit", theksoi nënkryetari Hamiti. Ai shtoi se referendumi popullor i vitit 1991, me organizimin e pashoq dhe me votën masive të papërsëritshme në historinë e re të Kosovës, konfirmoi vullnetin e popullit për liri e pavarësi. "Le të kujtojmë përherë lavdinë e ideatorëve e të realizuesve të popullit të referendumit për pavarësi të para 25 viteve", tha Hamiti.
Duke kujtuar këtë ditë, ndërkaq, kryeparlamentari Veseli, tha: "Falënderojmë të gjitha gjeneratat për punën e jashtëzakonshme që e kanë bërë për lirinë e Kosovës, lavdi të gjithë atyre që nuk janë në mesin tonë".
Në vijim, deputetët vazhduan me pikat e rëndomta, çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ndërkaq për çështjen e emërimit të një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore, në mungesë kuorumi për vendimmarrje, votimi është shtyrë për mbledhjen e radhës.
Pas propozimit të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, që votimi i Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, propozimi-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 05/106, datë 25.08.2016, me të cilin konsiderohet interes publik nga lëshimi i licencës për Projektin e kompanisë "Envidity Energy Kosova LLC", si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 06/106, datë 25.08.2016, me të cilin konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për Projektin e kompanisë "Sharr Cem dhe Titan Amerika", deputetët vendosën që këto çështje të shtyhen për një mbledhje tjetër.
Në vijim Kuvendi vazhdoi me interpelancën e Kryeministrit, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 6 deputetë nënshkrues, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, propozuesi i kësaj çështje, Visar Ymeri, tha se kodi telefonik sipas marrëveshjes, i ndahet Serbisë, sepse sipas tij Kosova nuk është anëtare e ITU-se e Serbia ia cakton këtë kod Kosovës. "Pra, Serbia do të ishte pronare e kodit telefonik. Për këtë fakt u pat rënë dakord që mos të bëhet publike. Publikisht do të thuhej vetëm teksti i paraqitur në Marrëveshje. Pra që Austria do të aplikonte për këtë kod. Pa saktësuar se cila palë do të ishte pronare e kodit tonë telefonik", tha Ymeri duke shtuar se marrëveshja për Telekomunikacionin ka kaluar nëpër fshehtësi të mëdha nga Qeveria e tanishme.
"Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur nga 111 vende të botës, ose më shumë se gjysma e anëtarësisë së ITU-së. Serbia jo vetëm që nuk e njeh, por kushtetuta e saj e konsideron Republikën e Kosovës të jetë territori i saj. Ky fakt e përjashton Serbinë për të pasur ndonjë rol në caktimin e numrave ndërkombëtarë për shërbimet telefonike për Republikën e Kosovës. Me marrëveshjen me Serbinë, kësaj të fundit i njihet kompetenca në qeverisjen me sektorin e telekomunikimit në Kosovë. Posta dhe Telekomi i Kosovës është ndarë nga Serbia 55 vjet më parë. Tani për herë të parë, pas 55 viteve me nënshkrim të Qeverisë së Kosovës, operatori shtetëror serb kthehet në Kosovë. Dhe kjo bëhet kinse për kodin telefonik, për të cilin aplikon Austria me pëlqimin e Kosovës dhe Serbisë. Tek kodet, kemi aplikuesin, titullarin (pronarin) dhe shfrytëzuesin. Aplikuesi është Austria, shfrytëzuesi është Kosovës ndërsa titullari (pronari) sipas marrëveshjes i bie të jetë Serbia", tha Ymeri, duke shtuar se operatori i ri në Kosovë do të jetë një operator që është regjistruar në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe që quhet "Telefonia Mobile e Serbisë".
Ai tha se duhet ta kemi parasysh që Republika e Kosovës ka mundur të aplikojë vetë në ITU, sipas nenit 2 pika C të Kushtetutës së ITU-së. Po ashtu, Republika e Kosovës ka mundur ta shfrytëzojë kodin +355 të Republikës së Shqipërisë, duke e zbatuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. "Republika e Kosovës ka pasur mundësi të aplikojë nëpërmjet Republikës së Shqipërisë në ITU nëse për dy mundësitë e para paraqiteshin pengesa. Pra, Kosova i ka pasur së paku tre mundësi të tjera. Në vend të tyre po insistohet në një kod nga Serbia.", tha Ymeri.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë fjalës së tij, theksoi se nga dialogu në Bruksel, Kosova ka arritur marrëveshje me Serbinë dhe kjo marrëveshje sipas tij i siguron Kosovës kodin e telekomunikacioni shtetëror dhe se me këtë rast Kosovës i jepet sovranitet ndërkombëtar.
"Kosova do ta ketë kodin e saj telefonik dhe ky kod do të jetë ai i cili do t'i heq nga përdorimi tri kodet që janë përdorur deri më tani. Kodi shtetëror i Kosovës do ta bëjë Kosovën me kod të vetin duke i hequr nga përdorimi kodet që janë përdorë tash e 17 vite ilegalisht si: 377, 386 dhe 381", theksoi Mustafa duke shtuar se me këtë marrëveshje, Kosova e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial me faktin se organizata ndërkombëtare e telekomunikacionit do t'ia adoptojë Kosovës kodin e saj telefonik.
Tutje, Besim Beqaj, duke folur ne emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se ky grup parlamentar e përkrah qeverinë në këtë çështje dhe për funksionim të plotë të kodit shtetëror. Ky kod, sipas tij, është i lidhur ngushtë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke përmendur edhe komunikimet që janë zhvilluar me ITU-në dhe Shqipërinë në drejtim të gjetjes së rrugëve ligjore që një kod i tillë, sipas tij, të merret në drejtim të zbatimit të Rezolutës që është aprovuar në Kuvend. "Kosova me kod shtetëror bëhet subjekt i trafikut ndërkombëtar dhe pjesë e rëndësishme në të ardhmen sa i përket ITU", tha Beqaj duke shtuar se efektet financiare të një marrëveshje të tillë janë të shumta dhe se përmes kodit telefonik do të kemi mundësi të mos paguajmë taksa të ndryshme të kodeve tjera.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke shprehur qëndrimin pro kësaj marrëveshje tha se çështja e kodit shtetëror është në rrugë të mbarë që të zgjidhet nëpërmes dialogut në Bruksel. Sipas tij çështja e kodit është pjesë e dialogut dhe se së shpejti priten rezultate pozitive që do ta ketë kodi telefonik. "Përkrahim angazhimet konkrete që po ndërmerr qeveria drejt kodit telefonik dhe çdo çasje tjetër është politikë ditore dhe e paefektshme në realizimin e interesave shtetërore. Besojmë se do të kemi kod telefonik dhe kjo temë do të mbyllet në të mirën e vendit. Përkrahim angazhimet dhe veprimet që bën qeveria", tha Beqiri.
Ndërsa, Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha: "Kryeministri shumë herë iu referua marrëdhënieve shumë të mira me Serbinë, fqinjësisë së mirë, që është qëllimi i qeverisë, ndërkaq, sa i përket arrestimit të drejtorit rajonal të policisë nga Serbia, nuk tha asnjë fjalë për këtë normalizim kaq të shkëlqyeshëm që e paskemi me Serbinë, e cila na e kthen me arrestimin e tyre me aktakuza për terrorizëm vetëm pse kanë qenë pjesëtar të UÇK-së", tha Konjufca, ndërkaq, duke u ndërlidhur me kodin telefonik tha se Kushtetuta e ITU-së e mundëson faktin për të pasur kod telefonik të pavarur dhe se vendet që nuk janë anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe qeveria nuk e ka provuar kurrë këtë rrugë. "Cili do të jetë statusi i këtij kodi? Atë që e ka fituar Kosova në thonjëza është degradimi i tregut të telekomunikacionit në Kosovë. E gjithë hapësira telefonike e Kosovës po futet në bashkëveprim me telekomunikacionin e Serbisë dhe shkëmbimet e tyre nuk do të jenë ndërkombëtare", tha Konjufca.
Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, tha se shtetësia e Kosovës po zbehet me këto marrëveshje, duke shtuar se mendon që qeveria i ka hy kësaj çështje pa ndonjë platformë politike, pa ndonjë caktim kohor dhe pa ndonjë impakt për qytetarët e Kosovës dhe për shtetësinë e Kosovës.
"Marrëveshja definon krijimin e një kompanie të re, kompani degë e Serbisë dhe parasheh që të gjitha asetet t'i transformohen kësaj kompanie që do t'i ketë të drejtat e operimit. Marrëveshja nuk precizon nëse është fjala për kod shtetëror apo territorial", tha Lekaj, duke shtuar se nuk do t'i përkrahin vendimet e qeverisë të cilat do të jenë në dëm të shtetit tonë.
Edhe Enver Hoti, nga grupi parlamentar Nisma, tha se marrëveshjet dhe bisedimet që po zhvillohen në Bruksel vetëm po krijojnë kriza e Kosova po humb shumë: "Pasojat janë tepër të mëdha, jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe politik dhe të sigurisë kombëtare. Marrëveshja e fundit në Bruksel cenon rëndë sovranitetin e shtetit", tha Hoti.
Krejtësisht në fund të diskutimit të deputetëve, kryeministri Mustafa duke falënderuar deputetët për kontributin lidhur me këtë çështje, dha disa përgjigje në çështjet dhe pyetjet që shtruan deputetët, ndërkaq shtoi se kodi telefonik do të jetë kod telefonik i Kosovës, e cila do të jetë pronare e këtij kodi. "Ne do të jemi pronarë të këtij kodi dhe do të administrojmë e po ashtu edhe serveri do të jetë në Kosovë", sqaroi, Mustafa.
Përkitazi me këtë çështje Ymeri paraqiti para deputetëve një rezolutë duke kërkuar përkrahje nga ta. Ai kërkoi që të aplikohet kodi telefonik +355 për Republikën e Kosovës dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës të nisë menjëherë negociatat me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për zëvendësimin e kodeve telefonike.
Pas debatit, seanca ndërpreu punimet, për të vazhduar më pas në orët e pas ditës.
Vijimi i mbledhjes së Kuvendit
Pas pushimit Kuvendi vijoi me interpelancën e Kryeministrit, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Propozuesi për interpelancë, Ismajl Kurteshi në fjalën e tij para deputetëve bëri një pasqyrë të gjerë të arsyeve lidhur me gjendjen e rëndë që mbizotëron në veriun e Kosovës. Midis të tjerave ai theksoi se në veriun e Kosovës nuk po lejohet kthimi i shqiptarëve në trojet dhe shtëpitë e tyre, ndërkohë kur po ngrihen koloni të reja serbe, duke vijuar kështu me teorinë e vjetër të spastrimit etnik.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë fjalës së tij, theksoi se kemi trashëguar vërtetë një situatë të vështirë në veri, pasi UNMIKU, që në fillim nuk mundi ta shtrijë autoritetin e vet në pjesën veriore dhe të mos lejonte ndërtimin e strukturave paralele.
Qeveria e Kosovës theksoi ai, në programin e saj ka vënë si prioritet strategjik çështjen e urbanizimit të gjendjes dhe konsolidimin e shtetit dhe shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin, respektivisht edhe të katër komunave në veri të vendit. Vlerësoj se edhe pos vështirësive të shumta, progresi në këtë drejtim është substancial dhe shumë i dukshëm. Ai paraqiti një numër arritjesh të ndryshme, si vendosja e kufirit me Serbinë, funksionimi i komunave legale, vendosjen e dy pikave kufitare nga të dyja anët e kufirit, shpërbërja e disa strukturave paralele dhe deri tek hapja e Urës së Ibrit dhe rikonstruksioni i saj për tu bërë e kalueshme nga të dyja anët, tashmë edhe tatimet doganore janë duke u grumbulluar dhe kompanitë janë regjistruar legalisht dhe janë fiskalizuar.
Duke konsoliduar sovranitetin shtetëror në tërë vendin, shteti jonë po forcon në planin politik dhe të sigurisë, autoritetin e vet duke krijuar kushte të favorshme për zhvillim ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Më tej kryeministri Mustafa shtoi se gjendja e sigurisë në veri është përmirësuar dukshëm dhe mund të them se kemi të bëjmë me një situatë të qetë dhe stabile, gjë e cila dëshmohet edhe nëpërmjet statistikave përkatëse. Duke theksuar se zhvillimi ekonomik është një nga kushtet kryesore të stabilizimit, ai numëroi një numër investimesh dhe projektesh dhe marrëveshjesh zhvillimi për infrastrukturën rrugore, sporteve kulturës ambientit, arsimit shëndetësisë, pushtetit lokal etj. të cilat po implementohen me sukses.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Mustafa theksoi se nga dialogu që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së në Bruksel, Kosova ka arritur marrëveshje me Serbinë dhe këto marrëveshje sipas tij po i sigurojnë Kosovës konsolidimin shtetëror dhe shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin. Sidoqoftë akoma në veri ka probleme të mëdha dhe nevojitet ndihma e komunitetit ndërkombëtar për shuarjen e strukturave paralele që ekzistojnë në veri.
Një nga problemet e mëdha mbetet respektimi i simboleve shtetërore të cilat ekzistojnë edhe në komunat e tjera brenda territorit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës në programin e saj ka vënë si prioritet strategjik çështjen e urbanizimit të gjendjes dhe konsolidimin e shtetit dhe shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin, tha kryeministri, Mustafa.
Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Zenun Pajaziti pasi bëri një pasqyrë të situatës dhe problemeve të përbashkëta të të dy komuniteteve shqiptare dhe serbe në veri të Mitrovicës theksoi se pa dyshim ne jemi këtu të prirur për të folur si deputetë për sfida dhe të shohim se si mund ti kalojmë këto sfida. Në mbyllje të fjalës së vet ai theksoi se grupi parlamentar i PDK-së e mbështet procesin e dialogut si e vetmja mundësi për përmirësimin e situatës.
Grupi parlamentar i PDK-së e mbështet procesin e dialogut si e vetmja mundësi për përmirësimin e situatës, tha shefi i GP të PDK-së, Zenun Pajaziti.
Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, z Ismet Beqiri duke shprehur besimin se edhe pse situata është jo e mirë, bisedimet janë të nevojshme dhe vetëm dialogu është rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve dhe grupi parlamentar i LDK-së mbështet programin e Qeverisë për përmirësimin e situatës.
Opozita propozon rezolutë për gjendjen në veri të vendit.
Deputeti Glauk Konjufca në emër të grupit parlamentar të VV në fjalën e tij tha se nuk ka dallim në mes të strukturave paralele të Serbisë në veri të vendit dhe të atyre të ligjshme, që janë pjesë e Qeverisë, tha Konjufca.Duke listuar dështimet e Qeverisë në veri të vendit, të cilat sipas deputetit Konjufca, janë të shumta, ai më pas vuri në pah edhe moszbardhjen e vrasjes së policit të Kosovës, Enver Zymeri, si dhe vrasjeve të tjera atje, përfshirë edhe pjesëtarë të EULEX-it. Dështimet atje, tha në vijim ai, janë në partneritet vendor dhe ndërkombëtar. Sipas tij, ndarja e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë, e dëshmon këtë, ndërkaq, gjendjen atje e përshkruajti edhe më keq se sa që është paraparë në Planin e Presidentit, Ahtisari.
Më tej mbledhja e Kuvendit vijoi me fjalën e një numri të deputetëve kryesisht të opozitës, të cilët në paraqitjen e tyre shprehën kritika të ashpra ndaj Qeverisë dhe gjendjes në veri të vendit.
Në fund të seancës, iniciuesi i këtij debati, deputeti Ismail Kurteshi, në emër të VV-së, propozoi një rezolutë prej katër pikave, nëpërmjet së cilës fillimisht u kërkua nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse nxjerrja e një vendimi për ndalimin e punëve në ndërtimin e lagjes së re kolonizuese në veri të vendit.
Kërkesat e tjera të paraqitura me këtë rast ishin edhe plotësimi i kuadrit ligjor nga mekanizmat përkatës për parandalimin e niciativae të tilla, që Qeveria të hartojë plan për garantimin e kthimit të të zhvendosurve shqiptarë nga atje dhe ndërtimi i shtëpive të tyre, ndërkaq, kërkesa e katërt ishte që kryeministri të raportojë në Kuvend pas 60 ditëve, në rast se rezoluta e propozuar përkrahet nga deputetët.
Në mungesë koorumi, rezolutat e propozuara lidhur me debatet e sotme nuk u hodhën në votim, ndërkaq, për seancën e ardhshme do të vendosë Kryesia e Kuvendit.