Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 14.09.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari Naser Osmani, u shqyrtua në parim Projektligji nr.05/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168, të cilin projektligj e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Pas një diskutimi të deputetëve lidhur me këtë projektligj, anëtarët e Komisionit e përkrahën atë në parim që të radhitet në njërën nga seancat e radhës.
Më tej, Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin nr.05/L- 066 për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Kosovës dhe amendamentet e komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. Meqë u vlerësua se ky projektligj ka një ngrarkesë buxhetore, anëtarët e Komisionit formuan një grup pune për të zhvilluar një takim paraprakisht me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, si sponzorizues të këtij projektligji, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe më pas të radhitet për shqyrtim në mbledhje të Komisionit, në një afat prej dy javësh.
Ndërkaq, sa i përket shqyrtimit të Projektligjit nr.05/L-24 për Shërbimin Mjekësor Emergjent dhe amendamentet e komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, anëtarët e komisionit formuan po ashtu grup pune për vlerësimin e kostos buxhetore së këtij ligji, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq shqyrtimi i tij është shtyrë për dy javë.
Krejtësisht në fund, anëtarët e Komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, të cilin e prezantoi Sekretari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi.