Lajmet e fundit
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Premte, 21.06.2019
Sot, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Driton Selmanaj, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës.
Komisioni shqyrtoi raportin e Auditimit të PVF-ve të Ndërmarrjes Publike "Kompania Regjionale e Mbeturinave Pastrimi SH. A", për vitin financiar të përfunduar me 31 dhjetor 2018, ku u shpalosën gjetjet kryesore së Ndërmarrjes Publike.
Sa i përket të gjeturave të Raportit të Auditimit të Zyrës Kombëtar mbi Ndërmarrjen Publike "Kompania Regjionale e Mbeturinave Pastrimi SH. A", komisioni vlerësoi se ky raport është ndër më shqetësuesit të paraqitur gjerë më tani.
Kryetari Selmanaj tha se ky raport është mjaft shqetësues dhe duhet një përkushtim më i madh nga ana e Bordit Drejtues për funksionimin sa më të mirë të mundshëm të ndërmarrjes.
Në anën tjetër Drejtori i Financave i ‘'Kompanisë Regjionale të Mbeturinave Pastrimi SH. A'', Sabri Kadriu, tha se janë pajtuar me një numër të madh të rekomandimeve dhe janë zotuar se do të angazhohen në përmirësimin e gjendjes.
"Ne do t'i përgjigjemi raportit të auditorit dhe do të mundohemi që me planin e veprimit të rregullohen gjetjet e raportit", theksoi Kadriu.
Në fund të diskutimit komisioni vendosi që raporti në fjalë të procedohet për diskutim në seancë plenare.
Në pikën tjetër të rendit të ditës komisioni shqyrtoi dhe miratoi njëzëri rekomandimet e dala nga raporti i Auditimit të Performancës, Procesi i Menaxhimit të Grandeve dhe Subvencioneve në sektorin e bujqësisë.
Ndërsa, sa i përket Shqyrtimit të raportit të Auditimit për PVF-të të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2018, në mungesë të përfaqësuesve të Ministrisë, kjo pikë u shty për mbledhjen e radhës.