Lajmet e fundit
Prishtina, pikëtakimi i radhës i deputetëve me qytetarë
E Premte, 14.06.2019
Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është mbajtur sot debati i radhës i deputetëve me qytetarë.
Nën organizimin e Forumit për Transparencë Parlamentare dhe me mbështetjen e NDI-së, deputetët Hykmete Bajrami, Blerta Deliu-Kodra, Fitore Pacolli, Teuta Haxhiu dhe Dardan Sejdiu, kanë bashkëbiseduar me kryeqytetas lidhur me punë e Kuvendit dhe angazhimet e deputetëve në njërën anë, si dhe kërkesat dhe shqetësimet që sot preokupojnë banorët e kryeqytetit, në anën tjetër.
Besimi në qeverisje, të drejtat e njeriut, buxheti i vendit, sistemi gjyqësor, zbatimi i ligjeve, Ligji për pushimin e lehonisë, ngacmimet seksuale, infrastruktura, zhvillimi ekonomik, grantet në bujqësi, gjuha e deputetëve në Kuvend, hapja e çerdheve, Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, listat e veteranëve, PTK-ja, numri i ministrave dhe zëvendësministrave, pensionet, ishin temat kryesore që u shtruan nga qytetarët dhe u diskutuan me deputetët.
Sistemi i arsimit ishte tema që mbizotëroi në këtë debat, përkatësisht tekstet shkollore, dhuna nëpër shkolla, digjitalizimi, testi i maturës e shqetësime të tjera, të cilat u ngritën nga qytetarët pjesëmarrës.
Deputetët u shprehën se qytetarët nuk duhet të heshtin, por duhet të jenë më aktivë dhe po ashtu të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, ngase, sipas tyre, vlerësimi i deputetëve nuk duhet të bëhet çdo 4 vjet, por çdo ditë.