Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli takoi delegacionin e Batalionit "Atlantiku"

E Enjte, 18.04.2019




Me një minutë heshtje për dëshmorët, ka filluar takimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me ish-pjesëtarë të Batalionit "Atlantiku" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët 20 vite më parë nga Amerika iu bashkëngjitën luftës në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli tha se lufta çlirimtare nuk do të kishte kuptim pa kontributin e bashkëatdhetarëve. Ai çmoi lart gatishmërinë e bashkatdhetarëve për të lënë jetën e rehatshme në shtëpitë e tyre dhe për t'iu bashkuar luftës çlirimtare në Kosovë, deri në sakrificë.

Veseli tha se vrasësit e tre dëshmorëve, vëllezërve Bytyçi, nuk janë përgjigjur ende për krimin e tyre, edhe pse, sipas tij, ata janë të njohur.

"Edhe pas dy dekadash, shteti serb nuk po denjon të pranojë krimet që ka bërë në Kosovë, duke tentuar të mohojë masakrat mbi civilët e pafajshëm shqiptarë", theksoi Veseli.

Ai tha se është obligim e atyre që kanë mbetur gjallë që të vazhdojnë punën në forcimin e shtetit të Kosovës, ngase, siç tha ai, sa më i fortë të jetë shteti, aq më fuqishëm mund ta kërkojë të drejtën e vet.

Komandanti i Batalionit "Atlantiku", Gani Shehu, tha se ky batalion mblidhte të rinj nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare, duke përbërë kështu, siç tha ai, një Shqipëri në miniaturë.

"Pas 20 vjetëve vendosëm të rikujtojmë rrugëtimin tonë, duke përkujtuar gjithashtu të gjithë ata që dhanë më së shumti, për të arritur këtu ku jemi, në shtetin e Kosovës, të lirë dhe pavarur. Sa herë vijmë këtu shohim ndryshime pozitive. Ju falënderojmë ju si kryetar i Kuvendit dhe institucionet e tjera për punën tuaj në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të vendit", theksoi Shehu.

Në takim diskutuan edhe anëtarë të tjerë të delegacionit, Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, admiral Skënder Doçi, komandant i parë i batalionit, e të tjerë, të cilët evokuan kujtime nga lufta e 20 vjetëve më parë.

 

 

Kryeparlamentari Veseli takoi delegacionin e Batalionit Kryeparlamentari Veseli takoi delegacionin e Batalionit Kryeparlamentari Veseli takoi delegacionin e Batalionit Kryeparlamentari Veseli takoi delegacionin e Batalionit