Lajmet e fundit

Nga konferenca rajonale e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 07.05.2019




Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike ka mbajtur sot konferencën me temën: Mbikëqyrja Parlamentare e Financave Publike, në të cilën morën pjesë kryetarë të komisioneve parlamentare, auditorë gjeneral, si dhe kryetarë të gjykatave Supreme të Auditimit nga Shqipëria, Maqedonia Veriore, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe nga Kroacia.
Fillimisht, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Driton Selmanaj, sqaroi se Kuvendi i Kosovës për dallim prej shteteve të rajonit ka dy komisione, atë për Buxhet dhe Financa dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike. Kjo sipas tij është sipas sistemit anglo-sakson. Po ashtu, ai theksoi se Republika e Kosovës ka edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit e cila brenda vitit përgatitë më shumë se 100 raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës për institucione të nivelit qëndror dhe nivelit lokal, për agjensione të pavarura si dhe për ndërmarrjet publike. Mes tjerash, Selmanaj tha se Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike brenda vitit shqyrton mbi 25 për qind të raporteve dhe kjo sipas tij falë bashkëpunimit të mirë që ka me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Një pjesë e këtyre raporteve adresohen për seancë plenare. Megjithatë, si shqetësuese ai paraqiti faktin se ka nivel të ulët të zbatimeve të rekomandimeve. Vetëm 34 për qind të rekomandimeve institucionet arrijnë t'i zbatojnë brenda vitit, përkundër faktit që një pjesë e rekomandimeve kalojnë edhe në seancë plenare.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, duke folur për fushëveprimin e komisionit të cilin ai e drejton, mes tjerash tha Komisioni shqyrton buxhetin e shtetit, kornizën afatmesme të shpenzimeve, projektligjet që janë në fushë të financave publike, marrëveshjet ndërkombëtare, raportet financiare dhe ato të punës për agjencionet e pavarura, si dhe raportet tjera të karakterit financiar.
Ndërsa, Besnik Osmani, auditor i Përgjithshëm i Kosovës diskutoi lidhur me punën që është duke e bërë Zyra Kombëtare në auditimet e rregullsisë, të performances për nivel qendror dhe lokal si dhe për ndërmarrjet publike. Me theks të veçantë ai përmendi auditimet që po realizojnë për ndërmarrjet publike, të cilat dëri më tani janë audituar nga operatorë ekonomik privat.
Në vazhdim me diskutimet e tyre kontribuan edhe Predrag Sekuliq, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Buxhet nga Republika e Malit të Zi,
Mitchell O'Brien, specialist i qeverisjes së Lartë, Praktika Globale e Qeverisjes Parlamentare nga Grupi i Bankës Botërore, Pancho Minov, anëtar i Parlamentit nga Republika e Maqedonisë Veriore, Lindita Milo, zv/auditore e përgjitshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Hazim Shabanoviq, Zyrtar Ndërlidhës për Ballkanin Përendimor nga Zyra Suedeze e Auditimit, Milan Daboviq, kryetar i Senatit, Institucioni Shtetëror i Auditimit në Republikën e Malit të Zi, Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe Naser Ademi, zv/auditor i Përgjithshëm në Republikën e Maqedonisë Veriore.
Krejtësisht në fund diskutuesit vënë në pah faktin se duhet të vazhdohet me praktika të bashkëpunimit me vendet e rajonit.
Konferenca është organizuar nga Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me GIZ-in.

Nga konferenca rajonale e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike