Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 30.03.2017




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Sabri Hamiti), para fillimit të shqyrtimit të rendit të ditës, deputeti Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Arsim, ka propozuar që shqyrtimi i parë i Projektligjit për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, të hiqet nga rendi i ditës së mbledhjes së sotme dhe që të kthehet për shqyrtim në komisionin përkatës. Kjo për shkak të afateve të tejkaluara, meqë siç thaai, kanë ndryshuar shumë gjëra në fushën e arsimit.

Ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami, theksoi se ky ligj ka më shumë se një vit që është shtyrë, e kjo sipas tij për shkak të mungesës së opozitës dhe Listës serbe në Kuvend dhe sqaroi se ligji nuk tërhiqet nga sponsorizuesi, por seanca mund të vendos për t'iu kthyer Komisionit.

Me shumicë votash, deputetët vendosën që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës dhe që Projektligji për arsimin e lartë të kthehet në komisionin përkatës.

Ndërkaq, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka paraqitur propozimin e tij që të futet në rend të ditës së mbledhjes së sotme Projektligji për shoqëritë tregtare dhe të shqyrtohet në parim. Ky propozim mori mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Deputetët vazhduan me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reqica, bëri të ditur se Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar këtë projektligj, duke vlerësuar se nëpërmjet tij, Kosova, veç tjerash, merr pjesë aktive në promovimin dhe bashkëpunimin kulturor, shkencor, si dhe avancon statusin e saj në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq Puhie Demaku (VV), Zafir Berisha (NISMA) dhe Daut Haradinaj (AAK), si dhe deputetë të tjerë nga radhët e opozitës, kanë shfaqur shqetësimin e tyre lidhur me fusnotën që ekziston në këtë marrëveshje, duke deklaruar se Kosova nuk duhet të prezantohet me fusnotë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duke prezantuar në pika të përgjithshme këtë marrëveshje, tha se projekt marrëveshja ka të bëjë me arsimin e lartë, kërkimet shkencore dhe kulturën në mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se mbështeten projekte që kanë të bëjnë me integrimet në BE.

Ministri Hoxhaj shtoi se kjo marrëveshje është e përkohshme dhe se nuk e shkel integritetin dhe sovranitetin e vendit.

"Jemi i vetmi vend në rajon i cili nuk e ka ratifikuar një marrëveshje të tillë dhe si shtet po dalim joserioz në raport me vendet e rajonit", tha Hoxhaj, duke shtuar se FBP-ja do ta ketë selinë në Tiranë dhe se duhet të jemi më kredibil me vendet e rajonit dhe në raport me Shqipërinë, ndërkaq kërkoi nga deputetët përkrahje të kësaj marrëveshje.

Qëndrimin pro kësaj marrëveshje për grupin parlamentar të PDK-së, e prezantoi Zenun Pajaziti, ndërkaq Vjosa Osmani (LDK) ka theksuar se nuk është hera e parë që në Kosovë po miratohet një dokument më fusnotë, duke përmendur kështu edhe miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe marrëveshjet tjera, përmes së cilave Kosova ka përfituar fonde të ndryshme. Ajo vlerësoi se në rast se marrëveshja nuk miratohet, si alternativë do të jetë izolimi i Kosovës në të gjitha këto nisma rajonale.

U theksua po ashtu se kjo marrëveshje i mundëson Kosovës që të marrë pjesë në projekte dhe se përfitimet janë të shumta dhe janë investime në infrastrukturë dhe fusha tjera të ndryshme.

Më tej, u paraqitën propozimet që Kuvendi të bëjë një deklaratë përmes së cilës deklarohet se fusnota për Kosovën është e papranueshme. Me këtë rast, Ismajl Kurteshi (VV) kërkoi një pauzë për ta përpiluar këtë deklaratë dhe më pastaj të miratohen marrëveshjet.

Megjithatë, pasi përfundoi procedura e votimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, me ç‘rast nuk mori votat e mjaftueshme për miratim, Zenun Pajaziti (PDK), kërkoi që të shkohet në pauzë, për të krijuar një dokument të përbashkët me konsensus politik. Qëndrimin pro këtij propozimi e paraqitën edhe Sali Morina (LDK), Glauk Konjufca (VV), Rrustem Berisha (AAK), Haxhi Shala (Nisma) dhe Qerim Bajrami (6+).

Pas pauzës, deklaratën e hartuar nga gjashtë grupet parlamentare, lidhur me çështjen e prezantimit të Kosovës, që ka të bëjë në këtë rast me çështjen e përdorimit të fusnotës, e paraqiti deputetja Vjosa Osmani, me këtë përmbajtje:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës njeh Kosovën vetëm në bazë të emrit të saj kushtetues si Republikë e Kosovës;

2. Në përputhje me nenin 18 të Kushtetutës, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me Ligj që i referohen Kosovës sipas emrit të saj kushtetues.

3. Kjo deklaratë do t'i bashkëngjitet secilës marrëveshje ndërkombëtare, e cila ratifikohet në Kuvend nga sot e tutje.

Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës u miratua me 80 vota të deputetëve.

Pas votimit të kësaj deklarate, kryesuesi i mbledhjes së Kuvendit, nënkryetari Sabri Hamiti, kërkoi nga deputetët që rikthimin e këtij ligji ta bëjnë me një pëlqim formal, me ngritje dore të deputetëve, e cila u aprovua. Më pas, deputetët me 89 vota për, miratuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Kuvendi shqyrtoi edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, e cila u prezantua nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Nga 93 deputetë sa ishin prezentë në sallë, me 82 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi edhe këtë projektligj.

Tutje, deputetët kanë shqyrtuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST SH.A. dhe operatorit të sistemit, të transmisionit dhe tregut-KOSTT SH.A, që u prezantua nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Edhe kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik..., Muhamet Mustafa, ka sqaruar se Komisioni ka përkrahur projektligjin dhe paraqiti edhe një amendament të komisionit, i cili u përkrah edhe nga Kuvendi.

Ndërkaq ligji në tërësi u miratua me 93 vota të deputetëve.

Deputetët po ashtu i dhanë mbështetje edhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit të Projektit për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit të Ibër Lepencit, e nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, të prezantuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, ndërsa raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa e paraqiti kryetari i këtij Komisioni, Naser Osmani.

Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve në lexim të parë. Kështu, Kuvendi shqyrtoi për herë të parë dhe miratoi Projektligjin për shoqëritë tregtare dhe Projektligjin për ndërmarrjet sociale, të cilët para deputetëve i prezantoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Në emër të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në cilësi të sponsoruesit, deputeti Shaip Muja prezantoi Projektligjin për kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Pas deklarimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare në mbështetje të këtij projektligji, duke dhënë, njëkohësisht, propozime konkrete për plotësimin e tij, gjatë procesit të amendamentimit.

Pas diskutimeve për këtë projektligj, i cili është u konsiderua i një rëndësi të veçantë, Kuvendi miratoi atë dhe ngarkoi komisionin funksional parlamentar për shqyrtimin e mëtejmë.

Seanca vazhdon nesër, në orën 10:00. Pas përfundimit të pikave të mbetura, Kuvendi fillon seancën e re të planifikuar.

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit