Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 28.03.2017
Shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2016, si dhe Shqyrtimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitet 2018-2020, ishin çështjet për të cilat është diskutuar sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani.
Fillimisht është shqyrtuar Raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2016, të cilin para anëtarëve të komisionit e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Me këtë rast, Krasniqi tha se raporti është përgatitur në bazë të standardeve të raportimit financiar dhe përmban të dhëna të përmbledhura, si dhe raporte të detajuara. Ai më pas sqaroi se për paga dhe mëditje, Kuvendi në nëntë mujorin e vitit të kaluar ka shpenzuar 98.62 % të buxhetit të paraparë, për mallra dhe shërbime, 99. 68 %, shpenzime komunale 100% dhe shpenzime kapitale 99. 77% të buxhetit të paraparë për këto kategori të shpenzimeve. Totali i përgjithshëm i shpenzimeve, sqaroi më tej sekretari i Kuvendit, Krasniqi, arrin në masën prej 98. 95 % të buxhetit përfundimtar të Kuvendit.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën pyetje dhe kërkuan sqarime, të cilave u është përgjigjur sekretari i përgjithshëm i Kuvendit.
Pas kësaj, kryesuesi hodhi në votim raportin, i cili u përkrah edhe nga komisioni. Është përkrahur po ashtu edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitet 2018-2020.
Për planin e shpenzimeve të Kuvendit, për vitet 2018- 2020, po ashtu njoftoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, i cili me këtë rast vuri në spikamë investimet në projektet kapitale si dhe çështje të tjera, për të cilat vlerësoi se do të ndikojnë në një performancë akoma më të mirë të Kuvendit.
Në fund të kësaj mbledhjeje, Komisioni përkrahu edhe Projektligjin për automjete, i cili do të procedohet tutje sipas Rregullores së Punës së Kuvendit.