Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Marte, 21.03.2017
Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e sotme, drejtuar nga Flora Bronvina, (kryetare) në kuadrin e monitorimit për zbatimin e Ligjit për Shëndetësi dhe përpjekjeve të këtij komisioni për përmirësim- ndryshimin e ligjit kishte të ftuar drejtorët e QKMF dhe DSHMF të komunave Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Ferizaj për të dëgjuar problemet dhe vështirësitë e ndryshme, në zbatim të ligjit aktual për shëndetësi.
Përfaqësuesit e QKMF-ve të komunave Gjakovë dhe Pejë dhe ata të DSHMF-së Prizren dhe Ferizaj paraqitën para komisionit probleme të ndryshme sipas karakteristikave dhe veçorive të komunave, të cilat ata i kanë hasur gjatë punës si dhe bënë propozime të ndryshme mbi mundësinë e përmirësimit dhe ndryshimin e ligjit për shëndetësi.
Zonja Bronvina theksoi se Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, është në përfundim të monitorimit për zbatimin e Ligjit për Shëndetësi. Gjatë gjithë kohës që anëtarë e komisionit kanë qenë në terren kanë vërejtur probleme të ndryshme në konflikt me ligjin dhe kanë identifikuar probleme të mëdha në mos zbatimin e Ligjit për Shëndetësi.
Takimi me ju dhe me komuna të tjera na ka nxitur si komision, të mbledhim një informacion sa më të gjerë dhe të organizojmë edhe dëgjim publik lidhur me këto probleme, me qëllim që në përfundim të monitorimit, të kihen parasysh në përmirësim ndryshimin e Ligjit për Shëndetësi.