Lajmet e fundit
Nga punimet e tryezës së punës me temën: “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të minierave dhe mineraleve, Draft-Projektligji i ri për Miniera dhe Minerale”.
E Marte, 21.03.2017
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), ka mbajtur dje tryezë pune me temën:"Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të minierave dhe mineraleve - Draft-Projektligji i ri për Miniera dhe Minerale".
Kjo tryezë mblodhi deputetë, përfaqësues të organizatave jo qeveritare, përfaqësues të kompanive dhe palë të ndryshme të interesuara për të diskutuar lidhur me këtë draft-projektligj.
Në fjalën e saj hyrëse, kryesuesja e grupit punues për hartimin e Projektligjit për Miniera dhe Minerale, Sala Berisha-Shala, së pari falënderoi INDEP-in për përkrahjen e vazhdueshme që i ofron Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri. Ajo tha se pas monitorimit që ky komision i ka bërë zbatimit të ligjit ekzistues, në bazë të takimeve me palët e interesit, ka rezultuar se ky ligj ka qenë duke u zbatuar, por se ka pasur nevojë për ndryshime. Andaj, sipas saj, ata kanë vendosur ta hartojnë një ligj të ri, i cili për bazë do të ketë ligjin ekzistues. "Ne kemi identifikuar shumë elemente që i mungojnë këtij ligji, ose, që duhet të ndryshohen apo plotësohen. Rekomandimet e dala nga raporti i grupit punues, si çështja e garancionit, parqeve nacionale, One Stop Shop-it, e çështjeve të tjera që s'kanë qenë të rregulluara me ligjin ekzistues, janë përfshirë në draft-projektligj për miniera dhe minerale", tha Berisha-Shala. Më tej, znj. Berisha-Shala tha se ky zhvillimi i sektorit për miniera dhe minerale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe se ndryshimet e bëra dhe të bartura në draft-projektligj mëtojnë ta lehtësojnë qasjen e kompanive dhe bizneseve në këtë sektor.
Përfaqësuesi i Komisionit të Pavarura për Miniera dhe Minerale Musa Shabani, tha se KPMM-ja, e ka mandatin për ta zbatuar ligjin në terren, rrjedhimisht është zbatuesi kryesor i ligjit, ndërkaq, sqaroi se KPMM-ja funksionon e pavarur e pavarur dhe i përgjigjet Kuvendit. "Vazhdimisht gjatë raportimeve në Kuvend, ne i kemi ngritë shqetësimet e bizneseve minerale për vështirësinë e zbatimit të disa pikave në këtë fushë. Çështja e garancionit - bizneset e reja që hyjnë së pari në këtë sektor, për të marrë licencën është dashur që të garantojnë me shuma të mëdha të parave për rikultivimin e mjedisit të shfrytëzuar gjatë aktivitetit të këtyre bizneseve. Kjo ka qenë barrë e rëndë për bizneset." tha z. Shabani. Sipas tij, ky draft-projektligj do të sigurojë që garancionet do të bëhen në përputhje me projektet e parapara për shfrytëzim dhe nuk do të kërkojë që investuesit të lënë gjysmën e pasurisë së tyre për ta marrë licencën.
Ndërkaq, Skender Sallahi, përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është angazhuar që sektori mineral të zhvillohet sa më optimalisht dhe racionalisht për shfrytëzimin e resurseve duke marr parasysh edhe mbrojtjen e ambientit. Sipas tij, është e nevojshme që draft-projektligji të sigurojë një kuadro ligjore për zhvillimin e këtij sektori.
Të pranishëm në tryezë ishin edhe përfaqësues të kompanive dhe bizneseve në këtë sektor, të cilët këtë nismë legjislative e vlerësuan të duhur. Ata vlerësuan edhe mbajtjen e kësaj tryeze. Sipas tyre, ligji duhet t'i mbrojë interesat, jo vetëm të vendit por edhe të kompanive dhe bizneseve. Për ta arritur këtë, ata kërkuan koordinim të të gjitha palëve të përfshira në këtë sektor që do të lejonte një rezultat optimal për të gjithë palët e interesit, përfshirë këtu institucionet në nivel lokal, agjencitë e pyjeve, ujërave etj. Më tutje, ata diskutuan disa nga pikat e këtij draft-projektligji dhe kërkuan sqarime nga anëtarët e këtij komisioni lidhur me to.