Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 28.02.2017




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën ministri i Ministrisë së Financave, Avdulla Hoti, paraqiti masat e parapara për pakon e dytë fiskale.

Duke paraqitur pakon fiskale, ministri Hoti, fillimisht bëri të ditur se për kompletimin e saj, konsultimet kanë filluar që nga shtatori i vitit të kaluar.

Ai në vijim tha se masat e parapara kanë dalë nga konsultimet e bëra me komunitetin e biznesit, ndërkaq, u shpreh i bindur se ato do të ndikojnë në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm biznesor.

Zgjerimi i listës së produkteve për lëndë të para, vijoi ministri, është paraparë që të jetë si masa e parë e pakos së re, ndërsa, në vijim paraqiti edhe masat e tjera, ndër të cilat vlen për tu veçuar: heqja e normës se akcizës në mazut, reduktimi i TVSh-së, vendosja e banderolave në produktet e miellit, evidentimi i humbjes nga transporti, krijimi i listës së kompanive që janë të rregullta dhe kanë të kryera obligimet ndaj institucioneve, rritja e transparencës dhe efikasiteti i prodhimit në lëshimin e licencave, vendosja e arkave fiskale etj.

Anëtarët e komisionit, vlerësuan se masat e parapara për pakon e re fiskale janë të qëlluara dhe adekuate për një zhvillim dhe produktivitet më të lartë të bizneseve vendore. Anëtarët e komisionit, përkatësisht, Raif Qelaj, Blerim Grainca dhe Rrustem Berisha, po ashtu propozuan disa masa shtesë, për të cilat ministri Hoti, tha se, do të shqyrtohen.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe përkrahur edhe Projektligji për plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...