Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion...

E Mërkure, 22.02.2017




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga zv/kryetarja e parë e Komisionit, Selvie Halimi, ka mbajtur sot dëgjim publik lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Drejtësinë, në të cilin dëgjim ishin të pranishëm ministrja për Dialog, Edita Tahiri, si dhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Fillimisht, ministrja Tahiri sqaroi para Komisionit se Marrëveshja për Drejtësi mes Kosovës e Serbisë është dashur të zbatohet që nga 10 janari dhe se është vonuar për më shumë se një muaj. Ajo tha se vonesa e zbatimit të kësaj marrëveshjeje ka ndodhur si pasojë e provokimeve që ka bërë shteti i Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, duke përmendur me këtë rast ndërtimin e murit dhe tentimin për futjen e trenit ilegal në Kosovë.
Ajo tha se kjo marrëveshje ka një rëndësi të madhe për Kosovën dhe se ajo konsolidon shtetësinë e Kosovës. Ndërkaq, ka shtuar se dialogu ka mundësuar shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në sistemin e Drejtësisë dhe se në bazë të kësaj marrëveshjeje pritet të konsolidohen Gjykata Themelore dhe Zyra e Prokurorisë që do të mbulojnë shtatë Komuna.

Në vijim, ministrja Tahiri ka njoftuar anëtarët e Komisionit se kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut do të jetë serb, ndërsa zv/kryetari do të jetë shqiptar. Ndërsa në Zyrën e Prokurorisë, kryetari do të jetë shqiptar dhe zv/kryetari do të jetë nga komuniteti serb.

Në vijim foli edhe ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, lidhur me çështjen e zbatimit të marrëveshjeve për funksionalizimin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ajo me këtë rast tha se roli i kësaj ministrie në këtë proces ka qenë dhe është i kufizuar për faktin se i dedikohet sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, të cilat janë institucione të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre.

"Roli i Ministrisë së Drejtësisë është në drejtim të organizimit të provimit të Jurisprudencës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që i plotësojnë kushtet, në pajtim me afatet e përcaktuara me Ligjin për dhënien e Provimit të Jurisprudencës", theksoi ministrja Hoxha duke shprehur në vijim përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë që në pajtim me përgjegjësitë, që kanë do të jenë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në drejtim të ofrimit të kushteve sa më të mira për integrimin e këtij komuniteti në sistemin e drejtësisë, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Ajo sqaroi para Komisionit se në afatin e fundit, nga gjithsej 97 kandidatë sa e kanë kaluar provimin e jurisprudencës, 9 prej tyre janë të komunitetit serb, ndërkaq në afatin e parafundit kanë kaluar 6 kandidatë të këtij komuniteti, sipas kushteve dhe trajtimit të barabartë me të gjithë kandidatët tjerë.

Anëtarët e Komisionit kërkuan informata të shumta nga ministrja Tahiri lidhur me marrëveshjen për Drejtësinë dhe çështje tjera. Me theks të veçantë për kriteret që janë përcaktuar për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kohën e betimit të tyre etj. Madje, kërkuan sqarime në hollësi nëse rekrutimi i këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës. Për këtë çështje edhe kërkuan garanci nga ministrja për Dialog.

Ndërkaq disa nga ta kritikuan këtë ministri edhe për mos transparencë të kësaj marrëveshje.

Ministrja për Dialog, Tahiri, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, tha se të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel janë në pajtim me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e saj.

Sipas saj punësimi dhe integrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb është bërë në bazë të kritereve të caktuara.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion...