Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane
E Marte, 21.02.2017
Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja Njomza Emini, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën raportoi ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Me këtë rast, ministrja Hoxha, foli lidhur me përmbushjen e agjendave për reformat evropiane nga plani kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe për sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
Gjatë raportimit të saj, ministrja vuri theksin mbi përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe obligimeve të tjera që rrjedhin si nga MSA-ja, ashtu edhe nga procesi i agjendës për Integrime Evropiane.
Sipas saj, Ministria e Drejtësisë është duke punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit, në veçanti legjislacionit penal, luftës kundër korrupsionit dhe reformave gjyqësore.
Rreth procesit të rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit, ajo theksoi se është proces gjithëpërfshirës dhe kërkon reforma të thella. Për suksesin në këtë fushë ajo njoftoi se janë të përfshira shumë institucione të tjera të Kosovës.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë është e gatshme që të fillohet me procesin e kompensimit te viktimave të krimit, proces ky, i cili sipas ministres duhet të fillojë sa më parë.
Për të përmbushur agjendën evropiane të reformave, ndërkaq, ministrja njoftoi se është formuar grupi punues, i cili do të jetë përgjegjës të hartojë dokumentin konceptual për çështjen e suspendimit nga marrëdhënia e punës së zyrtarëve publik.
Ajo njoftoi edhe për angazhimin e ministrisë lidhur me ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Lidhur me këtë, ajo bëri të ditur se ministria që ajo drejton ka dërguar disa kërkesa ministrisë përkatëse të Francës dhe angazhimi për lirimin e tij është duke vazhduar.
Ministrja Hoxha, u është përgjigjur edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit, e që kishin të bënin me konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve, si dhe ngritja e aktpadisë për krime ndaj shtetit të Serbisë.