Lajmet e fundit
Komisioni për Administratë Publike takoi ambasadorin e Hungarisë në Kosove, Laszlo Markusz
E Hënë, 20.02.2017
Kryetarja e komisionit Xhevahire Izmaku, së bashku me anëtarët e komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, pritën sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet dhe bashkëpunimin e komisionit ndërmjet dy vendeve.
Duke e falënderuar ambasadorin Markusz për mbështetjen e deritanishme të Hungarisë për Kosovën në shumë fusha, kryetarja, Izmaku, theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht në shkëmbimin e përvojave, siç është ai në ndryshimin e Ligjit për paga, Ligjit për Entin e Statistikave dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Ambasadori hungarez, ndërkaq, e konfirmoi përkushtimin e tij për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin për Kosovën, përmes projekteve të binjakëzimit me Kuvendin e Kosovës.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se midis Kosovës dhe Hungarisë ekzistojnë marrëdhënie të mira, por u shtrua nevoja e vizitave të komisionit në Budapest, për të parë nga afër funksionimin e qeverisë dhe parlamentit atje.