Lajmet e fundit

Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë

E Marte, 14.02.2017




Me ftesë të kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Arta Dade, një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Në përbërje të delegacionit të Komisionit për Punë të Jashtme ishin: Elmi Reçica, kryetar, Qerim Bajrami, nënkryetar i dytë, Blerta Deliu-Kodra, Luljeta Veselaj-Gutaj, Pal Lekaj dhe Zafir Berisha, anëtarë.

Delegacioni takimin e parë e pati me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, njëherësh edhe kryetare e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Valentina Leskaj.

Gjatë këtij takimi u theksua nevoja e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e mundshme, në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, vështirësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, siç janë: Këshilli i Evropës, Organizata e Kombeve të Bashkuara etj.

Znj. Leskaj për provokimet e Serbisë, theksoi se Kosova me veprimet që ka ndërmarrë, karshi këtyre zhvillimeve, ka dëshmuar qëndrim të pjekur politik që i përket çdo vendi evropian. Ajo po ashtu njoftoi se i ka shkruar Presidentit të Këshillit të Evropës, për ndalimin e Ramush Haradinajt.

Në këtë takim u bisedua edhe për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, për Samitin e kryetarëve të komisioneve të jashtme parlamentare, që do të organizohet në Prishtinë, bashkëpunimin e administratës së dy kuvendeve dhe çështje të tjera.
Kryetari Elmi Reçica falënderoi znj.Valentina Leskaj për pritjen e organizuar dhe kërkoi mbështetje nga ajo në anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Delegacioni u takua edhe me z. Pandeli Majko, kryetar i Delegacionit Shqiptar në NATO. Në këtë takim u diskutuan çështje të shumta, ndër to edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Z. Majko theksoi se Kosova ka raporte të mira me NATO-n dhe se formimi i ushtrisë është vetëm një akt juridik, pasi që Kosova tashmë e ka FSK-në.

Majko propozoi që të arrihen marrëveshje strategjike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmë reciproke.

Temë tjetër e trajtuar në këtë takim ishte ndalja e z. Ramush Haradinaj në Francë, me ç'rast u theksua se duhet të ruhet qetësia dhe se për këtë rast nuk ka informata të sakta, por vetëm mund të flasim me hamendje.

Çështje të tjera të diskutuara në këtë takim ishin edhe çështja e trenit, integrimi i Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare, situata në rajon si dhe themelimi i Fondit të Sigurisë.

Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës u prit edhe nga Komisioni për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë. Znj. Arta Dade, kryetare e Komisionit, theksoi se janë mbështetur qëndrimet e Kosovës lidhur me provokimet e Serbisë. Ajo, po ashtu, tha se FSK-ja duhet të shndërrohet në Ushtri të Kosovës. Hap të rëndësishëm e vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në SEECP. Ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë edhe në nivelin parlamentar dhe njoftoi se Komisioni për Politikën e Jashtme se ka trajtuar çështje të shumta lidhur me Kosovën.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, tha se e mbështet atë dialog, sepse është mjet për ta ruajtur stabilitetin në rajon. Z. AldoBumçi pyeti për zhvillimet e fundit në Kosovë, për temën e përfolur të rishikimit të kufijve si dhe për qëndrimin zyrtar të Francës, sa i përket ndalimit të Haradinajt.

Z. Reçica, theksoi se zhvillimet e fundit në Kosovë nuk janë të rastësishme dhe se qëllimi i Serbisë është ta destabilizojë rajonin. Ai tha se blerja e armëve nga ana e Serbisë nuk është sinjal i mirë.

"Serbia këtë e bën edhe për politika brendshme, pasi që atje së shpejti do të mbahen zgjedhjet parlamentare", tha Reçica.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve, ai shprehu mendimi se do të ishte e gabuar.

Z. Reçica njoftoi lidhur me vështirësitë ligjore rreth formimit të Ushtrisë së Kosovës. Ai po ashtu theksoi se Serbia po mundohet që t'i ftohë raportet në mes të Kosovës dhe Francës, mirëpo raportet në mes të Kosovës dhe Francës janë të shkëlqyera.

Në këtë takim u shtrua edhe çështja e mandatit të NATO-së në Kosovë, dialogut Kosovë-Serbi, ndalimit të z. Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, për listat e Interpolit e çështje tjera të rëndësishme. Roli i NATO-së në Kosovë tha se është që të kujdeset për sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Z. Lekaj, lidhur me ndalimin e z. Haradinaj, tha se ka munguar koordinimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ndalimi ka qenë i planifikuar dhe se duhet pastruar listat e Interpolit.

Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe u theksua se Kosova është e pranishme në Këshillin e Evropës, kurse në OSBE, nuk është e përfaqësuar, për shkak të kundërshtimit të madh të Rusisë.

Z. Qerim Bajrami theksoi se ky takim është i vonuar dhe njoftoi se minoriteti serb dhe turk e kanë mbështetjen nga shteti i tyre, kurse boshnjakët nuk kanë ndonjë mbështetje për shkak të situatës politike në Bosnje e Hercegovinë. Ai kërkoi hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë.

Në takim komisionet u dakorduan që të nxjerrin një dokument të përbashkët lidhur me situatën e krijuar në rajon.

Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës pati një takim edhe me z. Luan Rama, deputet dhe Sekretari i LSI-së.

Z. Reçica e njoftoi për zhvillimet në Kosovë. Ai tha se Qeveria e Kosovës, sa i përket murit, i ka marr hapat e nevojshëm në mënyrë që të parandalohet eskalimi i situatës, ndërsa sa i përket çështjes së ndalimit të z. Ramush Haradinaj, Reçica tha se qëllimi i Serbisë është që ta destabilizojë situatën në rajon.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, ai tha se Kosova është anëtare në disa organizata, por i duhet ndihma e Shqipërisë që ta zgjerojë anëtarësimin e saj.

z. Rama, tha se i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se reagimi i Kosovës karshi provokimeve të Serbisë, ka qenë i matur dhe është treguar vendosmëri. Ndalimin e z. Haradinaj, e sheh si goditje ndaj UÇK-së dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në favor të së drejtës ndërkombëtare dhe në favor të Kosovës. Ai tha se këto vizita duhet të shoqërohen me aktivitete të përbashkëta dhe propozoi që të dy komisionet të hartojnë një plan të përbashkët të punës dhe krijimin e një njësie parlamentare.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, shtroi një darkë pune për delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme. Gjatë kësaj darke pune u diskutua çështja e ndalimit të z. Haradinaj, po ashtu u diskutua edhe për provokimet e Serbisë, për integrimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare si dhe për gjendjen politike e të sigurisë së rajonit.

 

Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Një delegacion i Komisionit për Punë të Jashtme qëndroi për vizitë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë