Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 25.01.2017
Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi zëvendëskryetarja e parë e komisionit, znj. Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi në parim Projektligjin Nr.05/L-150 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Raportin vjetor të punës së Komisionit për vitin 2016 dhe Planin vjetor të punës së Komisionit për vitin 2017.
Projektligjin Nr.05/L-150 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e prezantuan ministri i Financave, z. Avdullah Hoti dhe guvernatori i BQK-së, z. Bedri Hamza.
Ministri Hoti theksoi se qëllimi i këtij projektligji është përmbushja e obligimeve që kemi si rezultat marrëveshjeve kontraktuale me institucionet financiare ndërkombëtare, në këtë rast mes Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa, guvernatori i BQK-së, z. Bedri Hamza sqaroi se plotësimet dhe ndryshimet e propozuara me këtë projektligj, kanë të bëjnë me rregullimin ligjor të së drejtës së ankesës së Guvernatorit dhe anëtarëve të Bordit të BQK-së në rast të largimit nga posti dhe në autonominë e BQK-së në përzgjedhjen e auditorëve të jashtëm, dhe këto ndryshime janë në pajtim me Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.
Pas diskutimeve, Komisioni përkrahu Projektligjin dhe i rekomandoi Kuvendit për miratim në parim.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën Janar-Mars 2017, por kjo çështje është shtyrë për shqyrtim në një mbledhje tjetër të komisionit.
Komisioni po ashtu miratoi edhe Raportin vjetor të punës së Komisionit për vitin 2016 dhe Planin vjetor të punës së Komisionit për vitin 2017.