Lajmet e fundit
Mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 19.01.2017
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, (një pjesë u kryesua nga Sabri Hamiti, nënkryetar), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Arsim Bajrami, Lutfi Zharku, Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami.
Kuvendi ka vazhduar punimet me interpelancen e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, lidhur me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.
Me këtë rast, propozuesi i kësaj interpelance, Ismajl Kurteshi, fillimisht përmendi faktin se Kosova është radhitur e fundit, në mesin e 72 vendeve që morën pjesë në testin ndërkombëtar të PISA-së dhe tha se kjo ka shqetësuar opinionin e gjerë në Kosovë. Ai u shpreh se ky rezultat për njohësit e gjendjes së arsimit në Kosovë nuk ishte i pa pritur. " Testi i PISA-s ka zbuluar se 77 për qind e 5161 nxënësve të testuar, në 225 shkolla të Kosovës, nuk janë të aftë ta kuptojnë dhe interpretojnë drejt atë që e lexojnë, kur e kemi parasysh faktin se pa këto aftësi është e pamundur të arrihet çfarëdo qoftë në cilëndo fushë të jetës, kjo vërtet është shqetësuese. Shqetësimi vetëm sa e rrit faktni që një rezultat kaq i dobët nuk është shënuar në asnjë vend të Ballkanit gjatë 15 viteve të fundit. Këto të dhëna janë arsye të forta për mobilizim të përgjithshëm.", theksoi Kurteshi, duke shtuar se kjo gjendje është si pasojë e mungesës së angazhimit të duhur në fushën e arsimit, të të gjitha qeverive të pas luftës, si dhe të ndërhyrjes së politikanëve në fushën e arsimit.
Kurteshi theksoi se kjo gjendje është edhe rezultat i bartjes së kompetencave nga profesionistët nëpër shkolla, në duart e politikanëve si kryetarët e komunave, që shpesh nuk janë të familjarizuar me fushën e arsimit, ndërkaq u shpreh se mungesa e koordinimit të punëve në mes të Ministrisë së Arsimit dhe komunave e rëndon edhe më shumë gjendjen në arsim.
Në gjendjen e sotme në të cilën është arsimi, deputeti Kurteshi tha se kanë ndikuar edhe programet jocilësore, kuadri shpesh i papërgatitur sa duhet, mungesa e teksteve të mira, vlerësimet e brendshme joreale, mungesa e disiplinës dhe llogaridhënies, mungesa e hapësirave shkollore, mungesa e kabineteve, laboratorëve dhe hapësirave për aktivitete të lira, etj. Pasi ka përmendur edhe kriteret e ulëta për pranim në universitete që ndikon që niveli i cilësisë në arsim të jetë shumë i ultëm tha se nuk janë të rralla rastet kur në procesin mësimor janë identifikuar mësimdhënës me diploma të falsifikuara. Në vijim Kurteshi tha se në shkollat me mësim në gjuhën serbe në Kosovë përdoren tekste shkollore antikushtetuese.
"Për këtë gjendje fajin e bartin shumë aktor që kanë punuar në fushën e arsimit gjatë këtyre viteve të pasluftës. Por përgjegjësi e veçantë bie mbi qeveritë, drejtoritë komunale të arsimit, udhëheqjet komunale dhe drejtoritë e shkollave të cilat nuk kanë punuar mjaftueshëm ose nuk kanë ditur të punojnë si duhet për të arritur rezultate më të mira", tha deputeti Kurteshi.
Për të dalur nga kjo situatë prindërit duhet të bashkëpunojnë shumë më shumë se në të kaluarën me mësimdhënësit, tha Kurteshi, duke shtuar se synim i Qeverisë duhet të jetë, ngritja e cilësisë , furnizimi i shkollave me mjete pune, krijimi i kushteve për mësim tërë ditor etj dhe se ministria duhet të ndërtojë strategji për ngritjen e cilësisë. Ai tha se tekstet shkollore duhet të rikonceptohen, bazuar në nevojat që kanë nxënësit në shekullin XXl, kurse tekstet antikushtetues duhet të largohen nga shkollat.
"Hapja e çerdheve duhet të bëhet prioritet nacional kurse hapja e paraleleve para fillore duhet të ndodh në të gjitha shkollat e Kosovës. Numri i nxënësve nëpër klasë nuk duhet të kalojë mbi 25. Për nxjerrjen e arsimit nga kjo gjendje e rëndë nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve të shtetit dhe qytetarëve në përgjithësi.", tha inicuesi i kësaj interpelance, deputeti Kurteshi.
Ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë fjalimit të tij, prezantoi një pako të projekteve për arsim dhe edukim të përfshirë në dhjetë shtylla, duke përfshirë me këtë rast edhe arsimin e detyrueshëm për fëmijët 3-6 vjeçar. Duke prezantuar veprimet e MASHT-it, dhe sfidat ai ka përmendur kurrikulën e re, Planin Strategjik të Arsimit "PSAK 2017-2021", si dhe Strategjinë për sigurimin e cilësisë në arsim, koordinatorët e cilësisë, me çka është siguruar hapësirë dhe mundësi për angazhim dhe qasje të drejtpërdrejtë për ngritjen e cilësisë dhe arritjen e standardeve moderne të arsimit.
"Shtylla e parë e një sistemi të pastër arsimor, fillon në moshë të hershme dhe objektivi yni është që të përfshihet në këtë arsimi parashkollor dhe fillor. Ne duhet të rrisim investimet për një gjithpërfshirje dhe sivjet do të ndërtojmë 15 kopshte publike", sqaroi ministri Bajrami, duke thënë në vijim sa janë në përfundim të kurrikules për përfshirje të fëmijëve të moshave 3-6 vjeçare.
Në vijim, ministri Bajrami ka përmendur si shtyllë të dytë të këtij programi kurrikulën dhe se në fillim të këtij viti kanë filluar shtrirjen e kurrikulës së re në nivel kombëtar.
"MASHT përmes kurrikulës së re, programeve e teksteve të reja, po vendos standard unik të mësimdhënies, duke përmendur po ashtu edhe licencimin që duhet bërë për mësimdhënien digjitale", tha Bajrami.
"Kurrikula e re është një mundësi e re dhe kemi arritur që këtë ta shtrijmë në secilën shkollë. Kjo është pranuar mirë dhe do të shënojë një ngritje të cilësisë", u shpreh ministri i MASHT-it, i cili në vazhdim ka folur edhe për problematikën e teksteve shkollore. Sipas tij MASHT-i ka filluar një proces, atë të rishikimit të teksteve, duke e vlerësuar si të domosdoshme nevojën për tekstet cilësore. Ai mes tjerash ka përmendur edhe tekstet unike me standarde ndërkombëtare dhe ka sqaruar se për këtë kanë bërë marrëveshje me shumë shtete. Tekstet në lëndët e natyrës të bëhen univerzale. "Nxënësit shpejt do të kenë tekste shumë më të mira dhe më logjike. Fëmijët tanë kanë nevojë për një edukim cilësor", u shpreh ministri Bajrami duke shtuar në vijim se do të promovohet edhe portali shtetëror i edukimit, me ç‘rast do të kalohet nga teksti manual në atë digjital.
Në këtë mënyrë, sipas Bajramit nxënësve do t'iu mundësohet qasje më e lehtë si dhe çanta më të lehta.
Ndërkaq sa i përket teksteve shoqërore sqaroi se po pretendohet të kenë tekste unike me Republikën e Shqipërisë.
Pasi ka folur lidhur me kalimin nga mësimdhënia klasike në atë të modernizimit dhe për promovimin e portalit e-edukimi, tha se ky proces mund të realizohet me sukses.
Ndërsa, pasi ka folur edhe lidhur me strategjinë për ngritjen e cilësisë, ministri Bajrami ka përmendur rritjen e kapaciteteve në nivelin komunal, duke sqaruar se kanë diskutuar për çështjen e depolitizimit nëpër shkolla. "Pas vlerësimit të PISA-s, kemi marrë hapa konkret dhe kemi formuar grup prej ekspertëve më të mirë të Kosovës, si dhe kemi ftuar ekspertë ndërkombëtar për Planin e Veprimit për vitin 2018. Do të bëhen të gjitha përgatitjet dhe PISA nuk do të na gjejë të papërgatitur. Ftoj që të punojmë bashkërisht që arsimi dhe edukimi të shpallen prioritet dhe të rritet buxheti në arsim dhe të mos kemi qasje partiake. Kemi obligim ndaj të rinjve që të bëjmë edukim cilësor, që të krijojmë familje të forta dhe një shtet të përparuar", tha ministri Bajrami.
Bekim Haxhiu, duke folur në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se çështja e arsimit duhet t'i bashkojë të gjithë, e jo ti ndajë. "Pa dallime politike, fetare apo sociale uroj që në fund të kësaj interpelance të jemi unik, dhe të gjithë së bashku të punojmë për ngritjen e cilësisë në arsim", tha Haxhiu.
Ai pasi ka folur lidhur me gjendjen në të cilën ka ekzistuar arsimi para luftës , tha se edhe pas përfundimit të luftës arsimi ka qenë në gjendje të rëndë , duke përmendur infrastrukturën e dëmtuar dhe djegiet që kanë ndodhur gjatë luftës. Ndërsa, theksoi faktin se nga viti 2008, pas ardhjes në pushtet të PDK-së, gjendja një arsim ka shënuar përmirësime të dukshme, duke përmendur edhe rritjen e pagave të mësimdhënësve. Deputeti Haxhiu tha se në Kosovë arsimi mbetet i ndikuar politikisht në të gjitha komunat, ndërsa rezultatin e PISA-s e quajti si tejet dëshpërues.
"Duhet të rregullojmë dhe përmirësojmë arsimin tonë në vend. Nuk mund të pretendojmë një sistem të arsimit të shëndoshë pa një bashkëpunim të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve dhe nuk do të ketë ngritje të cilësisë dhe kjo është esenciale", tha Haxhiu.
Në emër të grupit parlamentar të LDK-së foli deputeti Sali Morina.
Duke iu referuar raportit të PISA-s, ai tha se i tërë sistemi arsimor ka nevojë për ngritje të cilësisë. "Cilësia e arsimit në Kosovë duhet të përmirësohet. Rezultatet e PISA-s tregojnë mangësi serioze në fushën e arsimit", tha deputeti Morina, duke shtuar se prioritet i MASHT-it duhet të jeta ngritja e cilësisë, dhënia e përgjegjësisë në shkolla, si dhe të bëhet një tranzicion, nga ai klasik në atë modern. Ai shtoi se me këtë projekt duhet të vazhdohet edhe në shkollat tjera, ndërkaq kërkoi që të bëhet rishikimi i teksteve shkollore. Krejtësisht në fund, deputeti Morina ka rekomanduar që të rishikohet edhe legjislacioni i arsimit në përgjithësi, duke përmendur me këtë rast se ekzistojnë disa ligje të cilat nuk janë të implementueshme.
Albin Kurti, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se qeveria investimin në arsim e sheh shumë më tepër në ngritjen e pagave të rritura për mësimdhënës, për fushata elektorale, se sa në aftësitë e mësimdhënësve. Deputeti Kurti theksoi se nëse rezultati i PISA-s nuk trajtohet si shpërfaqje e mungesës së dijes, atëherë nuk do të rregullohet vendi. Kurti tha me këtë rast se tre te katërtat e nxënësve nuk i kanë njohuritë themelore dhe se 68 për qind të nxënësve të Kosovës nuk arrijnë nivelin 2 në shkallën e përgjithshme të shkencës, 77 për qind të leximit, si dhe 78 për qind atë të matematikës. Ndërkaq, vlerësoi se është i domosdoshëm plani zhvillimor nacional për të shpëtuar arsimin.
Deputetja Teuta Haxhiu, në emër të grupit parlamentar të AAK-së, tha se vlerësimi i PISA-s, ka dëshmuar së gjendja në Kosovë nuk është aspak e mirë. Ajo vlerësoi se është koha e fundit kur institucionet përgjegjëse në vend duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për ngritjen e cilësisë në arsim dhe kjo, tha ajo, kërkon përkushtim dhe profesionalizëm. Ndërsa, kërkoi nga Kuvendi që urgjentisht të formojë komision të ekspertëve për të shikuar mundësinë se si të dilet nga kjo amulli.
Ndërsa, Shukrije Bytyqi, nga grupi parlamentar Nisma,përmendi fillimisht faktin se është premtuar se arsimi do të jetë prioritet gjatë kësaj qeverisje dhe se është bërë bujë se ky vit do të jetë vit i cilësisë dhe i reformave, duke përmendur më pas rezultatin e PISA-s. Ndërsa ka përmendur faktin se ka mësimdhënëse të pakualifikuar, duke kritikuar me këtë rast edhe tekstet shkollore, si çështje problematike ajo e përmendi edhe legjislacionin.
Në këtë interpelancë me diskutimet e tyre kontribuuan edhe këta deputetë: Myfera Sinik, Gëzim Kelmendi, Selvije Halimi, Qerim Bajrami, Xhevahire Izmaku, Melihate Tërmkolli, Shpejtim Bulliqi, Driton Qaushi, Agim Aliu, Kimete Bytyqi, Salih Salihu, Veton Berisha dhe Safete Hadërgjonaj.
Më pas është vijuar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për automjete, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Po ashtu, deputetët shqyrtuan në parim edhe Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive. Këtë Projektligj e paraqiti ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
Pas shqyrtimit të këtyre projektligjeve, kryesuesi i seancës i hodhi në votim ato, të cilat u përkrahën nga deputetët.
Po ashtu, deputetët shqyrtuan dhe përkrahën (në lexim të dytë) edhe amendamentetet e Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë, të cilat i paraqiti dhe arsyetoi deputeti Agim Aliu.
Pas kësaj, Kuvendi ka vazhduar punimet me shqyrtimin e Propozim- rezolutës lidhur interpelancen e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Me këtë rast, iniciuesi i kësaj interpelnce, deputetit Ismajl Kurteshi, lexoi tekstin e saj, për të cilin tha se janë dakorduar të gjitha grupet parlamentare. Megjithatë, rezoluta e propozuar, në mungesë kuorumi nuk është miratuar.
Ndonëse përfaqësuesit e VV- kërkuan që debati lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të shtyhet për nesër, Kuvendi vijoi me shterimin e debatit lidhur me këtë çështje, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë tjerë.
Lidhur me këtë, deputeti Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, fillimisht bëri të ditur se kërkesën për debat në Kuvend, ata e kanë paraqitur muaj më parë, ndërkaq, vlerësoi se prolongimi i këtij debati është në vazhdën e përpjekjeve që VV-në ta inkriminojnë dhe t'ia pamundësojnë aktivitetin politik.
Në vijim, Konjufca në mënyrë kronologjike kujtoi veprimet policore ndaj këtij subjekti, për të cilat vlerësoi se kanë qenë të motivuara politikisht. Duke shprehur bindjen e tij se aktivistët e VV-së janë plotësisht të pafajshëm dhe, sipas tij ata mbahen në paraburgim pa asnjë provë inkriminuese, kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.
Deputeti Zenun Pajaziti, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, vlerësoi se deputetët nuk duhet të merren me punët që u takojnë organeve të pavarura të hetuesisë dhe prokurorisë. Ai, po ashtu vlerësoi se deputetët duhet angazhuar në vazhdimësi në ngritjen e kapaciteteve shtetërore, e të cilat janë të përkushtuara në luftimin e çfarëdolloj krimi. Me këtë rast, Pajaziti shprehu bindjen e tij se lidhur me angazhimet e policisë, të cilat VV-ja i vlerëson se kanë motive politike kundër saj, nuk qëndrojnë.
Se angazhimet e policisë nuk kanë pasur qëllim politik kundër VV-së, u shpreh edhe shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Ai me këtë rast kujtoi veprimet e deputetëve të VV-së në Kuvend, si dhe aksionet kundër objekteve të Qeverisë dhe të vetë kryeministrit Mustafa, të cilat sipas tij kanë denigruar në shkallë të lartë këtë institucion. Ai deklaroi se subjekti që ai përfaqëson mbështet pa rezervë punën e institucioneve të pavarura, ndërkaq, bëri të ditur se Projekt-rezoluta e propozuar nga VV-ja, nuk do të mbështetet prej tyre.
Në emër të AAK-së foli shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Pal Lekaj.
Ai konsideroi se si pasojë e arrestimeve është edhe vdekja e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ndërsa bëri thirrje që ligji të gjej zbatim të paanshëm. Ai po ashtu kërkoi lirimin e të arrestuarve me motive politike.
Arrestimet e aktivistëve të VV-së, i gjykojë dhe i vlerësoi si inskenime edhe deputeti, Zafir Berisha, shef i Grupit Parlamentar të NISMA-s.
Më pas, fjalën e mori ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
Sjellja e policisë dhe angazhimi i institucioneve të tjera relevante, tha ministri Hyseni, burojnë nga normat ligjore të përcaktuara nga Kuvendi. Ai në fjalën e tij, i siguroi deputetët se asnjëherë nuk ka qenë dhe s'do të jetë pjesë e inskenimeve të çfarëdollojti, e që kanë për qëllim përfitimet politike.
Po ashtu, ai kujtoi se Kuvendi duhet ruajtur parimin fundamenatal të tij- mosndërhyrje në organet e drejtësisë.
Folën më pas deputetët: Anton Çuni, Visar Ymeri, Daut Haradinaj, Haxhi Shala, Albulena Haxhiu, Besa Gaxherri, Besa Baftiu, Time Kadrijaj, Kadaj Bujupi, Sabri Hamiti, Ismajl Kurteshi, Albin Kurti dhe Sahip Muja.
Me këtë rast, gjatë trajtimit të kësaj teme u vunë re dallime të thella ndërmjet përfaqësuesëve opozitar dhe të atyre të pozitës. Derisa opozita i cilësonte arrestimet si inskenime me motive politike, përfaqësuesit e koalicionit, ndërkaq, vlerësonin se këtë çështje duhet besuar organeve kompetente dhe apelonin në mosndërhyrje në punën e tyre.
Derisa diskutohej lidhur me temën, në mënyrë simbolike, deputetë të VV-së shpalosën një pano me fotografi të përfaqësueseve institucional, të cilët sipas VV- së, janë përgjegjës për arrestimet aktivistëve të saj.
Pas shterimit të debatit lidhur me këtë çështje, në mungesë kuorumi nuk është paraqitur Projekt- rezoluta.