Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Shtune, 24.12.2016




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), debatoi lidhur me ndërtimin e murit në mënyrë ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së.
Fillimisht, kryetari i GP të AAK-së, Pal Lekaj, kërkoi që debati të shtyhet për të mërkurën, por Kuvendi, me shumicë votash, vendosi që kjo temë të diskutohet sipas vendimit të djeshëm të seancës.

Duke shpalosur arsyet e kërkesës për këtë debat parlamentar, kryetari i GP të AAK-së, Lekaj, potencoi rrezikun që Mitrovicës dhe Kosovës në përgjithësi, i vjen nga muri i ndërtuar në atë pjesë. Ai kërkoi nga kryeministri Mustafa dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, të informojnë Kuvendin nëse kanë qenë në dijeni për ndërtimin e një muri të tillë. Ai vlerësoi gjithashtu, se pos murit, po ndërtohet edhe një objekt tjetër i dyshimtë. Këto dy veprime, sipas tij, po e presin të tretin, krijimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke përmbushur, siç tha ai, panoramën e projektuar nga Serbia, krijimin e një shteti brenda shtetit të Kosovës.

"Nëse do të duhej të ndërtohej një mur, ai do të duhej të ishte në kufi me Serbinë e jo në zemër të Mitrovicës", tha Lekaj. Ai shtoi se sa herë që qeveria ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë në Bruksel, ka thënë se me ato marrëveshje po largohet Serbia nga Kosova, por gjendja, sipas tij, është krejt ndryshe. Ai përmendi targat, që sipas tij, mohojnë shtetësinë e Kosovës, flamujt e Serbisë, përmendoret, muret e barrikadat. Lekaj kërkoi që në fund të debatit të miratohet rezoluta e propozuar nga grupi që ai drejton.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, murin në Mitrovicë e cilësoi mur të urrejtjes, ndarjes dhe të rikthimit në të kaluarën e dhimbshme, i cili, sipas tij, paraqet simbol të shëmtuar, të instaluar nga Beogradi.

"Ky mur, i ndërtuar natën, reflekton vetëm terr në marrëdhëniet midis komuniteteve dhe në imazhin e Kosovës. Kosova dhe institucionet ndërkombëtare duhet të jenë të kujdesshme që paqja e arritur të mos cenohet. Muri, në çfarëdo forme, madhësie apo dizajni, është i papranueshëm dhe ilegal. Si i tillë, ai duhet të rrënohet menjëherë", theksoi deputeti Pajaziti, duke kërkuar që përpos urës, të mos ketë asgjë tjetër që mund të pengojë komunikimin dhe qasjen e lirë të qytetarëve.

Ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të jetë e kujdesshme në këtë rast, duke mos e cenuar dhe keqpërdorur besimin që qytetarët e Kosovës kanë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi pritjen e GP të PDK-së që ky debat të sjellë një vëmendje më të theksuar të institucioneve karshi këtij problemi, të cilat, sipas tij, duhet të jenë të pakompromis në ruajtjen e sovranitetin dhe të paqes.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Sadri Ferati tha se muri i ndërtuar ilegalisht në Mitrovicë ka një mesazh. Ai tha se po të shikosh nga jugu, muri del një monstrum, ndërsa po të shikohet nga veriu, pasqyron gjendjen reale për ata që ndërtojnë politikat në atë pjesë, duke shkaktuar frikë se gjoja se shqiptarët janë të rrezikshmit, të cilët do të kalojnë urën dhe do ta vërshojnë veriun.

Ferati tha se duhet të vazhdohet të bëhet presion që të mirat komunale në atë pjesë të jenë për të gjithë qytetarët. Ai tha se duhet të krijohen fonde për t'iu ndihmuar shqiptarëve në ndërtimin e banesave dhe punësimin.
"Muri është vetëm një produkt i vogël i një gjendjeje reale atje", theksoi deputeti Ferati, duke shtuar se nuk i kontribuohet situatës me deklarata euforike.
Ai foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin paralajmëroi se do të krijohet në plotni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se fajtorë pse ngritet një mur në Mitrovicë nuk janë vetëm politikat e Serbisë dhe strukturat ilegale të saj në veri të Kosovës, por faj, sipas tij, ka edhe një politikë vendore, e cila, siç tha ai, u është përshtatur politikave dhe strukturave të Serbisë në Kosovë. Decentralizimi etnik në Kosovë, shtoi deputeti Konjufca, ka qenë politikë zyrtare në Kosovë, e cila, sipas tij, iu ka përshtatur politikës së Serbisë. Ai tha se problemi do të ishte shumë më i vogël nëse do të ishin përballur të gjithë bashkë me strukturat e Serbisë në Kosovë.

"Këtu problemi nuk janë vetëm strukturat, por edhe njerëzit zyrtarë të cilët i keni krijuar ju vet dhe të cilët ngrisin barrikada e ndërtojnë mure. Intervenimi i 25 korrikut 2011 ishte improvizim për të përfunduar veriu në tavolinën e negociatave. Të pretendosh se janë shuar strukturat paralele serbe, është njësoj sikur të shohësh ëndrra me sy hapur", theksoi Konjufca.

Qëndrimin e Grupit Parlamentar Nisma kundër murit në Mitrovicë dhe për heqjen e shpejtë të tij, e paraqiti kryetarja e këtij grupi, Valdete Bajrami. Ndërtimin e këtij muri, Bajrami e konsideroi derivat të negociatave dhe marrëveshjeve të nënshkruara midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nga të cilat, sipas saj, Serbia ka nxjerrë përfitime të mëdha.

"Sa herë Edita Tahiri është kthyer nga Brukseli, Kosovës i ka ardhur një e keqe. Sa herë ka folur Edita Tahiri, Kosovës i ka ndodhur e kundërta. Si po integrohen strukturat serbe, duke ndërtuar mure? Si është e mundur z. Mustafa të mos lejoheni të vizioni veriun dhe të detyroheni të shfrytëzoni rrugët malore për të arritur në veri?", pyeti Bajrami, duke shtuar se në veri nuk janë shuar asnjëherë strukturat paralele serbe. Ajo tha se shqiptarët në veri nuk guxojnë të ndërtojnë në pronat e tyre private, sepse ato u shkatërrohen.

Në emër të Grupit Parlamentar 6+, ndërkaq, foli deputeti Cerim Bajrami.
Pas përfaqësuesve të grupeve parlamentare, fjalën e mori kryeministri Isa Mustafa, i cili murin në Mitrovicë e konsideroi joligjor, që, si i tillë, duhet të trajtohet në bazë të ligjit dhe të rrënohet. Ai tha se ky mur nuk ka lindur në bazë të projekteve në Bruksel.

"Unë qëndroj prapa marrëveshjeve që kam nënshkruar në Bruksel në gusht të vitit 2015, periudhë për të cilën unë marrë përgjegjësi. Por, me përgjegjësinë e plotë ligjore dhe etike them se në asnjë moment në Bruksel nuk është diskutuar për murin dhe nuk ka qenë muri pjesë e këtij projekti. Shndërrimin e rrugës në shëtitore e kemi pranuar, në mënyrë që të heqim barrikadat dhe ta lirojmë urën", theksoi kryeministri Mustafa. Ai bëri të ditur se pas ndërtimit të murit, është kontaktuar Bashkimi Evropian dhe janë bërë vërejtje, ka shkuar inspekcioni, i cili, sipas tij, ka marrë masa duke i ndaluar punimet, edhe pse, siç tha kryeministri, kompetenca e inspektimit dhe ndërtimeve është komunale.
Duke iu kthyer edhe njëherë marrëveshjeve të Brukselit, kryeministri Mustafa tha se kanë ekzistuar 20 barrikada në veri të vendit, ndërsa dialogu ka ndikuar që ato të hiqen një nga një.

"Kemi arritur të zhbëjmë strukturat paralele, për të cilat është zhvilluar dialog në Bruksel. Kemi zhbërë mbrojtjen civile e cila ka pasur 800 pjesëtarë. Kemi marrë masa që të vejmë kontrollin në rrjetin telefonik dhe të marrim kodin telefonik. Kemi arritur marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve. Megjithatë, unë s'mund të themi se nuk kemi probleme", theksoi kryeministri Mustafa.

Duke e marrë fjalën në seancë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij për heqjen sa më të shpejtë të murit në Mitrovicë. Ai tha se është e turpshme tendenca për të ndërtuar mure në mes të Evropës në shekullin 21.

"Muri duhet të largohet sa më shpejtë. Ai është ilegal, nuk e ka lejen e autoriteteve qendrore. Nëse muri nuk largohet brenda kohës së caktuar, në mirëbesim, atëherë ne do të veprojmë si institucione të Republikës së Kosovës dhe muri do të rrënohet. Kemi bashkëbiseduar me kryeministrin dhe presidentin. Nuk kemi dashur ta politizojmë këtë çështje. Muri do të rrënohet dhe është mirë që kjo të bëhet nga vet ata që e kanë ngritur. Është mirë që në këtë proces të jemi më të vëmendshëm dhe më transparentë. Transparenca eviton keqkuptimet, sidomos në procesin e dialogut", potencoi kryeparlamentari Veseli. Ai theksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për komunikim midis komuniteteve.

Kreu i Kuvendit kërkoi që në rezolutën e propozuar, të futen edhe disa pika të tjera, si: investimet në veri dhe ndërtimi i shtëpive, kthimi i qytetarëve në banesat e tyre, forcimi i sistemit shëndetësor etj. Kryetari Veseli paralajmëroi, gjithashtu, se shumë shpejt do të vijë në Kuvend Projektligji për integrimin e qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës.
Në seancë, fjalën e mori edhe ministrja Edita Tahiri, e cila sqaroi para deputetëve se Marrëveshja e Brukselit për rivitalizimin e Urës nuk ka paraparë mure dhe as nuk ka pasur bisedime për mure.

"Ne shqiptarët nuk i durojmë muret. Muri do të hiqet. Është kundër ligjit, kundër marrëveshjes por edhe kundër interesave kombëtare të shtetit të Kosovës. Kundër murit është edhe vullneti politik i gjithë spektrit politik të Kosovës", theksoi ministrja Tahiri.

Debati vazhdoi me diskutimet e deputetëve: Sala Berisha-Shala, Ali Berisha, Aliu Sadriu, Rexhep Selimi, Albin Kurti, Time Kadriaj, Zafir Berisha, Xhevahire Izmaku, Besa Gaxherri, Donika Kadaj-Bujupi, Hajdar Beqa, Ilir Deda, Shukrije Bytyçi, Anton Quni, Shaip Muja, Bekim Haxhiu, Teuta Haxhiu, Albulena Haxhiu, Rrustem Berisha, Shukri Buja, Haxhi Shala, Ismail Kurteshi, Shpejtim Bulliqi, Besa Baftiu, Driton Çaushi, Lahi Brahimaj, Visar Ymeri, Raif Qela, Mytaher Haskuka, Fisnik Ismaili, Fatmir Shurdhaj, Armend Zemaj, Nait Hasani, Nuredin Ibishi, Bislim Zogaj, Fisnik Ismaili, Nehat Baftiu, Elmi Reçica, Blerta Deliu-Kodra dhe Xhavit Haliti, dhe të cilët ngritën shqetësimet e tyre lidhur me murin dhe kërkuan rrënimin sa më të shpejtë të tij.

Në fund, propozuesi i debatit, Pal Lekaj, lexoi propozim-rezolutën, ndërsa gjatë ditëve në vijim, grupet parlamentare do të japin propozimet e tyre, në funksion të hartimit të një rezolute të përbashkët.

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit