Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Enjte, 22.12.2016




Menjëherë pas përfundimit të seancës së sotme, ku Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 kaloi në lexim të parë, Komisioni për Buxhet dhe Financa u mblodh për diskutimin e amendamenteve.

Deputetja Safete Hadërgjonaj, kërkoi heqjen e nenit 18- të, të Projektligjit për Buxhet të Republikës së Kosovës për vitin 2017. Edhe gjatë punës në Komision, argumentoi ajo, kemi marrë reagime nga të gjitha komunat, që ky nen të hiqet. Ky nen do të jetë i pazbatueshëm dhe do të sjellë probleme të vështira në të gjitha drejtimet e deri tek moszbatimi i ligjit theksoi. Hadërgjonaj.

Po kështu edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, argumentoi se neni 18-të, vërtetë do të sjellë mjaft probleme, pasi komunat nuk janë të përgatitura për t'iu përgjigjur këtij sistemi që e parasheh ky nen. Është një sistem gati perfekt dhe Kosova nuk i ka kapacitetet që mund t'i realizojë. Do të ketë komplikime dhe vonesa në pagesa dhe thjesht, shtesë të burokracisë.

Pas votimit, me shumicë votash ky nen u hoq nga Projektligji për Buxhet. Më tej, puna vijoi me shqyrtimin e amendamenteve dhe projektvendime të tjera.

Në përfundim, Komisioni për Buxhet dhe Financa votoi projektvendimet përfshirë edhe propozimet e paraqitura nga Ministria e Financave.

Komisioni votoi Projektligjin për Buxhet të Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe procedoi për më tej në lexim të dytë në seancë plenare.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa