Lajmet e fundit
Nga tryeza e punës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Mërkure, 07.12.2016
Në tryezën e sotme, të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, të udhëhequr nga Lirije Kajtazi, kryetare, u diskutua lidhur me zbatimin e rekomandimeve nga raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2015.
Në këtë takim, pjesëmarrës ishin përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministrisë së Drejtësisë (MD) e të Komunës së Prishtinës, ndërkaq ftesës nuk i ishin përgjigjur përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Komunës së Parteshit.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, para të pranishmëve prezantoi çështjet të cilat lidhen me rekomandimet nga raporti i zyrës së Avokatit të Popullit. Sipas tij, në mesin e institucioneve shtetërore, përgjegjëse për zbatimin e këtyre rekomandimeve është Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht MPMS-ja, MD-ja, MASHT-ja, por edhe institucione të tjera, si: SHKK-ja, KGJK-ja, AKP-ja, Komuna e Mitrovicës Veriore dhe Komuna e Parteshit.
Përfaqësues të institucioneve, të pranishëm në këtë tryezë, dhanë sqarimet e tyre përkitazi me rekomandimet e dala nga raporti.
Avokati i Popullit vlerësoi se në të ardhmen, do të duhej që komisioni funksional të ftojë për raportim ministrat përkatës, për çështje që lidhen me fushëveprimtarinë e tyre. Po ashtu, Jashari, kërkoi nga anëtarët e komisionit që të ketë ndërveprim më të madh me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në fund të takimit, Jashari vlerësoi se ka rritje të zbatimit të rekomandimeve, ndërsa arsye e ngecjes së zbatueshmërisë së disa të tjerave, në të shumtën e rasteve, sipas tij, është mos harmonizimi i duhur i legjislacionit, si dhe mosplanifikimi i duhur i kostos financiare.