Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Legjislacion në Gjykatën e Apelit
E Enjte, 10.11.2016
Në vazhdën e takimeve të grupit punues të ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-033, dhe 05/L-094 dhe ligjit nr. 03/L për Këshillin Prokurorial të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-035, anëtarët e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga deputeti Armend Zemaj, gjatë ditës së djeshme zhvilluan një takim me ushtruesen e detyrës së Gjykatës së Apelit znj.Tonka Berisha.
Anëtari i Komisionit, njëherësh edhe kryesues i grupit për mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve KPK dhe KGJK, z. Armend Zemaj, tha se përveç mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, kemi për synim krijimin e një raporti të ri me institucionet e sistemit të drejtësisë duke pohuar se duhet të ndërtojmë mekanizmin e komunikimit për një sistem të drejtësisë sa më funksional dhe profesional.
Ndërkaq, u bisedua për sfidat në zbatimin të ligjit në përgjithësi dhe po ashtu nevoja për adresimin e problemeve që ka aktualisht sistemi i drejtësisë në vendin tonë. Po ashtu, u bisedua dhe për performancën, përgjegjësinë dhe llogaridhënien e gjyqtarëve.
Ndërsa mungesa e gjyqtarëve dhe numri tepër i lartë i lëndëve ishte shqetësimi kryesor që u ngrit nga U.D e Gjykatës së Apelit znj. Tonka Berisha. Në këtë kontekst u tha se për shkak të mungesës së gjyqtarëve do të jetë vështirë e përballueshme zgjidhja e lëndëve, me theks të veçantë në lëmin civil, duke pohuar se gjendja është alarmante dhe se po shkelen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut ndaj u theksua se është e nevojshme rritja e numrit të gjyqtarëve dhe stafit profesional.